Kievi sulmon një kantier detar në Krime, dëmton një anije ruse
Ushtria ruse njoftoi se Ukraina kishte sulmuar me raketa një kantier detar në Krime, e për pasojë ishte dëmtuar një anije ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur të shtunën vonë në mbrëmje, se forcat ukrainase kishin hedhur 15 raketa në drejtim të kantierit Zaliv në Kerch dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore, kishin rrëzuar vetëm 13 prej tyre.
Moska nuk dha detaje mbi anijen apo shkallën e dëmtimit të kantierit.
Në një deklaratë të komandantit të forcave ajrore ukrainase Mykola Oleshchuk, thuhej se në kohën e sulmit, të kryer nga aviacioni taktik ukrainas, në kantier ndodhej “një nga anijet më moderne të flotës ruse në Detin e Zi”. Megjithatë, ai nuk tha detaje nëse ishte dëmtuar pikërisht kjo anije.
Gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve, që kur Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një sulm në shkallë të Ukrainës 20 muaj më parë. Krimea po shërben si qendër kryesore që mbështet agresionin rus.
Muajt e fundit Ukraina ka goditur gjithnjë e më shumë objektiva detare në gadishullin e Krimesë. Në shtator, një sulm me raketa ukrainase në një kantier detar strategjik në qytetin port të Sevastopolit dëmtoi dy anije ruse dhe plagosi 24 persona. Më vonë, po të njëjtin muaj, u godit selia qëndrore e marinës ruse po në Sevastopol.
Fraksion.com