AktualitetBota+Të fundit

Trupat izraelite shtrëngojnë rrethimin e Gazës ndërsa diplomati i lartë amerikan mbërrin në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, arriti në Izrael të premten për të ushtruar më shumë trysni për lejimin e më shumë ndihmave humanitare në Gazën e rrethuar, ndërkohë që trupat izraelite shtrënguan rrethimin me synimin për të shtypur grupin qeverisës të Hamasit.

Në kufirin verior me Libanin, tensionet vazhduan të përshkallëzohen përpara një fjalimi të planifikuar për më vonë të premten nga udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, komentet e tij të para publike që kur Hamasi sulmoi Izraelin muajin e kaluar, duke nxitur frikën se konflikti mund të zgjerohet në rajon.

Të enjten, Hezbollahu, një aleat i Hamasit, sulmoi pozicionet izraelite në veri me dronë e mortaja. Ushtria izraelite tha se u kundërpërgjigj me avionë luftarakë dhe helikopterë.

Që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor, Hezbollahu ka ndërmarrë hapa të përllogaritur për ta mbajtur të zënë ushtrinë izraelite në kufirin e tij me Libanin, por deri më tani asgjë në masën që do të ndizte një luftë gjithëpërfshirëse.

Më shumë se 9,000 palestinezë janë vrarë në Gaza deri më tani, dhe 1,400 janë vrarë në Izrael, kryesisht civilë, gjatë sulmit fillestar të Hamasit.

Sekretari Blinken po e bën udhëtimin e tij të tretë në Izrael që nga sulmi i Hamasit. Ky udhëtim e çon atë në Tel Aviv dhe Aman, Jordani, dhe pason sugjerimin e presidentit Joe Biden për një “pauzë” humanitare në luftime. Synimi do të ishte lejimi i ndihmës për palestinezët dhe lejimi i largimit të më shumë shtetasve të huaj dhe të plagosurve. Rreth 800 persona u larguan gjatë dy ditëve të fundit.

Izraeli nuk iu përgjigj menjëherë sugjerimit të presidentit Biden. Por, kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili më parë ka përjashtuar një armëpushim, tha të enjten se “ne po përparojmë … Asgjë nuk do të na ndalojë”. Ai u zotua t’i jap fund sundimit të Hamasit në Rripin e Gazës.

SHBA-ja premtoi mbështetje të palëkundur për Izraelin pasi militantët e Hamasit vranë qindra burra, gra dhe fëmijë më 7 tetor dhe morën peng rreth 240 veta.

Përpara se sekretari Blinken të udhëtonte, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Në të njëjtën kohë, administrata e presidentit Biden ka nxitur Izraelin të lejojë më shumë ndihma në Gaza, mes alarmit në rritje për krizën humanitare.

Më shumë se 3 mijë e 700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftime, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e qeverisur nga Hamasi. Bombardimet kanë përzënë më shumë se gjysmën e 2.3 milionë banorëve të territorit nga shtëpitë e tyre. Ushqimi, uji dhe karburantet po mbarojnë nën rrethimin e Izraelit dhe spitalet e mbingarkuar paralajmërojnë se janë në prag të kolapsit.

Izraeli ka lejuar më shumë se 260 kamionë që transportojnë ushqime dhe ilaçe të hyjnë në territor, por punonjësit e ndihmës thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar të lejojnë hyrjen e karburantit, duke thënë se Hamasi po grumbullon karburante për përdorim ushtarak dhe do të vjedhë furnizimet e reja.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha të enjten se pauzat e përkohshme humanitare në zona të caktuara nuk do ta pengonin mbrojtjen e Izraelit.

Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë për atë që do të ndodhë më pas, nëse sundimi i Hamasit në Gaza merr fund, një çështje thelbësore në diskutimet e sekretarit Blinken gjatë vizitës së tij, sipas Departamentit të Shtetit.

Më herët gjatë javës, sekretari Blinken sugjeroi që Autoriteti Palestinez të qeverisë Gazën. Hamasi i dëboi forcat e autoritetit nga Gaza në vitin 2007. Autoriteti tani ka pushtet të kufizuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Zyrtarët ushtarakë thanë se forcat izraelite tani e kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një grup lagjesh të dendura që Izraeli thotë se janë qendra e infrastrukturës ushtarake të Hamasit dhe përfshin një rrjet të gjerë tunelesh nëntokësore, bunkerë dhe qendra komandimi.

Forcat izraelite “po luftojnë në një zonë të dendur dhe komplekse”, tha shefi i shtabit të ushtrisë, Herzi Halevy.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se forcat izraelite janë përfshirë në beteja “ballë për ballë” me militantët, duke kryer sulme ajrore dhe bombardime kur është e nevojshme. Ai tha se po u shkaktonin humbje të mëdha luftëtarëve të Hamasit dhe po shkatërronin infrastrukturën e tyre me pajisje inxhinierie.

Viktimat nga të dyja palët pritet të rriten ndërsa trupat izraelite përparojnë drejt lagjeve të dendura të qytetit të Gazës.

Të enjten, avionët izraelitë hodhën afishe me të cilat paralajmëronte banorët që të evakuoheshin menjëherë nga kampi i refugjatëve Shati, i cili kufizohet me qendrën e qytetit të Gazës.

Qindra mijëra palestinezë mbeten në shtigjet e luftimeve në veri të Gazës, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Izraelit që të evakuohen. Shumë prej tyre janë grumbulluar në ndërtesat e Kombeve të Bashkuara, me shpresë për më shumë siguri.

Megjithatë, katër shkolla të OKB-së të shndërruara në strehime në Gazën veriore dhe Bureij u goditën ditët e fundit dhe 24 persona u vranë, sipas Philippe Lazzarinit, sekretar i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA.

 

Përveç 9,061 palestinezëve të vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur, më shumë se 32,000 njerëz janë plagosur, tha ministria e Shëndetësisë e Gazës, pa bërë ndonjë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Në Izrael, rreth 5,400 veta janë plagosur krahas 1,400 të vrarëve, dhe 19 ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i operacionit tokësor.

Sulmet me raketa nga Gaza në Izrael dhe përleshjet e përditshme midis Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut të Libanit, kanë ndryshuar gjithashtu jetën për miliona izraelitë dhe kanë detyruar rreth 250,000 veta të evakuohen nga qytetet kufitare.

Disa qindra palestinezë me pasaporta të huaja kanë arritur të ikin nga luftimet këtë javë, duke e lënë Gazën përmes vendkalimit Rafah në Egjipt.

Zyrtarët thanë se 79 amerikanë ishin në mesin e atyre që janë larguar. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po përpiqen të evakuojnë 400 amerikanë me familjet e tyre.

Egjipti ka thënë se nuk do të pranojë një valë refugjatësh palestinezë, nga frika se Izraeli nuk do t’i lejojë ata të kthehen në Gaza pas luftës./AP

 

Fraksion.com