AktualitetBota+Life StyleTë fundit

“Konflikti në Ukrainë?”, Giorgia në kurthin rus

“Shoh shumë lodhje, më duhet të them të vërtetën nga të gjitha anët. Mund të jemi afër momentit kur të gjithë e kuptojnë se na duhet një rrugëdalje”. Fjalët e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ra në grackën e dyshes ruse të specializuar në mashtrimet telefonike, “Vovan dhe Lexus”, alias Vladimir Kuznetsov dhe Aleksej Stolyarov. 37 dhe 36 vjeç respektivisht, të dy dyshohen për lidhje me shërbimet ruse, duke pasur parasysh lehtësinë në talljen e liderëve botërorë dhe të famshëm, nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel te presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e deri te këngëtari Elton John apo autorja e Harry Potter. J.K. Rowling. Kësaj radhe ata arritën të nxirrnin deklarata nga kryeministrja italiane jo vetëm për Kievin, por edhe për fërkimet me BE-në dhe veçanërisht me Francën, për emigracionin dhe Afrikën.

Ishte 18 shtatori, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nga ana tjetër e telefonit, sipas një deklarate nga Palazzo Chigi, Meloni besonte se ishte Moussa Faki, president i Komisionit të Bashkimit Afrikan dhe ish-kryeministër dhe ministër i Çadit, një vend arabo-francez për nga gjuha. Pavarësisht theksit të fortë rus të anglishtes së Aleksej “Lexus” Stolyarov, kryeministrja nuk dyshoi. Madje u kënaq me tone bisede miqësore, deri edhe konfidenciale, jashtë çdo rregulli diplomatik: My friend, “miku im”, apo mes “meje dhe teje”. Zyra e Këshilltarit Diplomatik të Kryeministres u detyrua të publikojë një deklaratë që konfirmon vërtetësinë e bisedës dhe “keqardhjen që është gënjyer nga një mashtrues”. Dhe Palazzo Chigi detyrohet të qetësojë: “Mbështetje e plotë për Kievin”.

Lodhja për Ukrainën

Rusi Stolyarov u përpoq disa herë të nxiste kryeministren për krizën ukrainase, duke u ankuar se Afrika nuk mund t’i kërkonte ndihmë BE-së, sepse “të gjitha paratë shkojnë për Ukrainën”. Meloni tha se ishte dakord, duke shtuar se ka “shumë lodhje” sepse konflikti po shkakton kriza të ndryshme, “duke përfshirë emigracionin, inflacionin, rritjen e çmimeve të energjisë”. “Problemi – tha kryeministrja – është të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, pa shkelur të drejtën ndërkombëtare. Unë kam disa ide se si ta trajtoj këtë situatë, por jam duke pritur kohën e duhur për t’i hedhur ato në tryezë.” Sa i përket kundërofensive ukrainase, Meloni pranoi se “ndoshta nuk po shkon siç pritej”.

“Të gjithë e kuptojnë se konflikti mund të vazhdojë për shumë vite nëse ne nuk përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje. Problemi është se cila zgjidhje është e pranueshme për të dyja palët, pa hapur konflikte të reja”, shtoi ajo Megjithatë, kryeministrja nuk ra në provokime për gjoja nacionalizmin ukrainas. “Është Putini ai që ka një problem nacionalizmi”. Dhe Stepan Bandera, bashkëpunëtori i nazistëve?, e pyeti “Faki”-n fallco. “Nuk e njoh atë. (Ukrainasit) po bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe atë që është e drejtë të bëjnë. Dhe ne po mundohemi t’i ndihmojmë”, ka përsëritur Meloni. Pa koment, edhe për hipotezën e përmbushjes së kërkesave ruse për zhbllokimin e marrëveshjes për grurin ukrainas: «Duhet ta diskutojmë. Duhet të gjejmë një zgjidhje. E kam diskutuar në G20. Nëse lejojmë Rusinë të na shantazhojë, do të përkeqësohet, por nëse nuk gjejmë zgjidhje të tjera, do të bëhet një problem i pamundur (për t’u menaxhuar). Duhet të dalim disi nga kjo”.

Tensionet me BE-në

Kryeministrja u ankua për fluksin e vazhdueshëm të emigrantëve afrikanë. “Që nga fillimi i vitit kanë mbërritur më shumë se 120 mijë njerëz, veçanërisht nga Tunizia. Situata është shumë e vështirë në të gjitha frontet: humanitare, logjistike, e sigurisë. Dhe unë mendoj se kjo rrjedhë mund të rritet për shkak të situatës që po zhvillohet në Afrikë, veçanërisht në Sahel.” Më pas Meloni kishte fjalë të ashpra për inercinë e kolegëve të saj të BE-së: «Për një kohë të gjatë Evropa mendonte se mund ta zgjidhte problemin duke e lënë Italinë të qetë. Ajo që ata nuk kuptojnë është se është e pamundur. Përmasat e këtij fenomeni prekin, për mendimin tim, jo ​​vetëm BE-në, por edhe OKB-në. Por problemi është se të tjerëve nuk u intereson. Ata nuk u përgjigjën në telefon kur i mora. Dhe të gjithë janë dakord që Italia duhet ta zgjidhë e vetme këtë problem. Është një pozicion shumë idiot”. Dhe më pas ajo përsëriti: “BE thotë se e kupton. Por kur i kërkon të ndajnë fonde, të ndihmojnë, bëhet më e vështirë, duhet të them të vërtetën”.

Irritimi me Francën

Ishte Meloni ajo që u përpoq të nxirrte një opinion “ta themi mes nesh” nga gjoja Moussa Faki duke e pyetur nëse ai mendonte se grushti i shtetit në Niger kishte qenë në të vërtetë një lëvizje kundër Francës. Parisi, thotë kryeministrja pa e fshehur acarimin e saj, “po shtyn pak për një lloj ndërhyrjeje, por po përpiqem të kuptoj se si mund të mbështesim përpjekjet diplomatike. Duhet të jemi të kujdesshëm”. Dhe më pas ajo shpjegoi se francezët “kanë prioritete të ndryshme në Niger”, duke pasur parasysh se vendi është i pasur me uranium dhe minerale të tjera. “Pikëpamja e tyre është e ndryshme nga e imja”.

 

Fraksion.com