AktualitetPolitikëTë fundit

Jim O’brian: Reforma në drejtësi po jep rezultate reale në Shqipëri

Asistent Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazise, Jim O’brian zhvilloi një takim me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, ku u shpreh i impresionuar nga rezultatet e reformës ne drejtësi.

Në një reagim ne rrjetin social “X” zyrtari i larte amerikan thekson se reforma ne drejtësi po tregon se askush nuk është mbi ligjin.

“Kënaqësi që takova kreun e SPAK Altin Dumani. Është impresionuese të shohësh se si reforma në drejtësi po jep rezultate reale për njerëzit në Shqipëri, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fort reformën në drejtësi që është esenciale për të ardhmen europiane të Shqipërisë.”, -thekson zyrtari i larte amerikan, ku publikon edhe një fotografi me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

 

Prej ditësh një grup i zyrtarëve të lartë të SPAK bashkë me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani ndodhen në Uashington, DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë studimore.

Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Përmes një njoftimi të postuar më 31 tetor në facebook shoqëruar edhe me një fotogaleri ambasada amerikane informon se të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP). Pjesë e delegacionit janë dhe prokurorët Dorina Bejko, Klodiran Braho, Vladimir Mara.

Vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).

 

Fraksion.com