Izraeli thotë se ka rrethuar qytetin e Gazës
Forcat izraelite njoftuan të enjten se kanë rrethuar Gazën, qyteti kryesor i Rripit të Gazës, në përpjekjet për eliminimin e Hamasit. Grupi militant palestinez reagoi duke ndërmarrë sulme guerile nga tunelet nëntokësore.
Qyteti që shtrihet në pjesën veriore të Rripit të Gazës është bërë epiqendra e sulmit të ushtrisë izraelite, e cila është zotuar që ta asgjësojë strukturën komanduese të grupit islamik dhe u ka thënë civilëve që të largohen drejt jugut.
“Jemi në kulmin e betejës. Kemi pasur suksese të rëndësishme dhe kemi përparuar përtej periferisë së qytetit të Gazës. Ne po avancojmë”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Ai nuk dha detaje të tjera.
Mes shpërthimeve të forta në Gaza, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se: “trupat kishin rrethuar qytetin e Gazës, pika qendrore e organizatës terroriste Hamas”, siç u shpreh ai.
Gjenerali Iddo Mizrahi, shef i inxhinierëve ushtarakë të Izraelit, tha se trupat po ndesheshin me mina dhe kurthe.
“Hamasi ka mësuar dhe e ka përgatitur veten mirë”, tha ai.
Abu Ubaida, zëdhënës i krahut të armatosur të Hamasit, tha në një dalje televizive të enjten se numri i të vdekurve nga radhët e Izraelit në Gaza ishte shumë më i lartë sesa kishte njoftuar ushtria.
“Ushtarët tuaj do të kthehen në arkivole”, tha ai.
Izraeli thotë se ka humbur 18 ushtarë dhe ka vrarë dhjetëra militantë që nga zgjerimi i operacioneve tokësore të premten.
Banorët, të cilët treguan filmime nga beteja, thanë se Hamasi dhe luftëtarët aleatë të Xhihadit Islamik dilnin nga tunelet dhe sulmonin tanket dhe pastaj zhdukeshin në labiritin e nëndheshëm.
Në një video ushtarake të Hamasit, një luftëtar del në sipërfaqe në një fushë të Gazës dhe vendos mjetin shpërthyes në një tank. Shpërthimi dëgjohet teksa luftëtari, i cili duket se ka një kamera trupore për të dokumentuar aksionin, vrapon dhe futet në tunel dhe qëllon me një raketë drejt tankut.
Ekspertët e OKB-së thanë se civilët palestinezë rrezikoheshin nga gjenocidi. Popullsia civile palestineze përballet me mungesa ushqimesh, uji, ilaçesh dhe karburanti.
“Uji po përdoret si një armë lufte”, tha Juliette Touma, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është nisur drejt Lindjes së Mesme ku do të diskutojë për hapa konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza.
Mbi një e treta e 35 spitaleve të Gazës nuk funksionojnë, ndërsa shumë prej tyre janë kthyer në kampe të improvizuara refugjatësh.
“Situata është përtej katastrofike”, tha shoqata bamirëse ‘Ndihma Mjekësore për Palestinezët’, duke përshkruar korridoret e tejmbushura dhe shumë mjekë të pastrehë që kishin humbuar të afërmit e tyre.
“Jemi të bindur se populli palestinez rrezikohet shumë nga gjenocidi”, thanë shtatë raportues të posaçëm të OKB-së në Gjenevë. “Ne kërkojmë një armëpushim humanitar për të siguruar që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha të enjten se pauzat e përkohshme humanitare në zona të caktuara nuk do ta pengonin mbrojtjen e Izraelit.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të eksplorojmë idenë e sa më shumë pauzave që mund të jenë të nevojshme për të siguruar ndihmat humanitare, për të vazhduar evakuimin e banorëve, përfshirë pengjet”, tha për shtypin zoti Kirby.
Në takimet e tij në Izrael dhe Jordani të premten, kryediplomati Blinken tha se do të diskutonte gjithashtu mbi të ardhmen e Gazës dhe hedhjen e bazave për një shtet të ardhshëm palestinez./voa
Fraksion.com