DW: Pse po ngutet Vuçiqi me zgjedhjet e parakohshme në Serbi?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duke shënuar kështu fillimin e fushatës zgjedhore që do të zgjasë deri më 14 dhjetor, kur fillon heshtja zgjedhore.
Kjo lëvizje nuk është befasi e madhe, sepse presidenti i Serbisë ka lënë të nënkuptohet menjëherë pas zgjedhjeve të fundit se qeveria e tanishme do të ketë një mandat të shkurtuar. Nëse presionit të brendshëm të opozitës, pas tragjedive të majit dhe vrasjeve të nxënësve dhe të rinjve, që ka shkaktuar një mori pakënaqësie e protestash, i shtohet presioni i shtuar nga Perëndimi për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës, atëherë mund të thuhet se autoritetet në Serbi kanë arsye për nxitim dhe shpalljen e zgjedhjeve.
Shtohet presioni i brendshëm dhe i jashtëm
Zgjedhjet padyshim që autoritetet i shohin si një nga mënyrat për të rimarrë kontrollin mbi situatën, thekson për DW, Dushan Spasojeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike.
“Kemi pasur shumë probleme dhe kriza. Për këtë arsye mendoj se ata vendosën të shkojnë në një fushatë që përveç përfitimeve në kohë, mund t’u sjellë edhe përfitime të tjera, veçanërisht në lidhje me negociatat për Kosovën, të cilat janë përshpejtuar disi. Sigurisht që është më e leverdishme për ta që zgjedhjet të mbahen tani dhe pastaj të kenë një qeveri teknike ose negociata për një qeveri që mund të zgjasë disa muaj”, thotë Spasojeviq.
Gazetari Gjorgje Vlajiq gjithashtu vëren se diku u bashkuan presioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, dhe se “pavarësisht nga sondazhet e fundit ku shihet një rënie e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Vuçiq edhe këtë herë llogarit me fitoren në zgjedhje, si ato në nivelin republikan, ashtu edhe në nivelin lokal në Beograd dhe qytete të tjera”.
Një nisje më e mirë e bllokut proevropian
Në prag të zgjedhjeve, një grup partish opozitare arritën një marrëveshje për bashkëpunim dhe paralajmëruan dalje të përbashkët në zgjedhje me listën “Serbia kundër dhunës”. Fjala është për partitë opozitare që prej muajsh organizojnë protesta me këtë emër. Ato duan të shkojnë së bashku në zgjedhje, që ka qenë edhe kërkesa e shumicës së demonstruesve.
Është një hap i madh, thekson Spasojeviq. Ata bënë atë që duhej të bënin me këtë lëvizje. Kjo është e rëndësishme, sepse sondazhet tregojnë se shumica e votuesve dëshiron këtë lloj performance. Tani u takon atyre që fushatën ta bëjnë sa më bindëse, të tregojnë se veprojnë me një zë dhe kjo në një farë mënyre i vendos ata në një pozitë më të mirë fillestare në krahasim me partitë e tjera opozitare”, thotë Spasojeviq.
E djathta e turbullt
Marrëveshja politike në anën tjetër të spektrit politik është shumë më e vështirë. Ditët e fundit, një grup partish të djathta u përpoqën të bënin një marrëveshje të ngjashme dhe të formonin një subjekt elektoral. Por siç duket, kjo nuk do të ndodhë. Takimet e ndërprera, kundërshtimet ndaj bashkëpunimit me parti të caktuara, e tashmë edhe njoftimet për pjesëmarrje të pavarur në zgjedhje, kanë bërë të dështojnë përpjekjet për bashkim të skenës së djathtë politike. Sa ndikon kjo përçarje në mundësinë e bashkëpunimit me bllokun pro-evropian pas zgjedhjeve?
Është e qartë se ka një seri të tërë konfliktesh taktike, vëren Dushan Spasojeviq. “Para së gjithash, është një konflikt, se cilat janë çështjet më të rëndësishme: demokratizimi apo mbrojtja e integritetit territorial. Por, mendoj se kjo ende nuk na tregon asgjë për mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve dhe koalicioneve paszgjedhore. Ata do të presin rezultatet e zgjedhjeve, e nëse opozita pro-evropiane arrin një rezultat të mirë, që është dëshmi e disa ndryshimeve në shoqëri, atëherë edhe ata do të jenë nën presion të madh”, thotë Spasojeviq.
Gjorgje Vlajiq beson se “kjo ka të bëjë kryesisht me ambiciet e lidershipit dhe dëshirën që secili të jetë në krye”. Për mua kjo nuk është asgjë e pazakontë, sepse e djathta u nda më seriozisht rreth çështjes së patriotizmit sesa opozita prodemokratike në çështjet që kanë sfond proevropian”, thotë bashkëbiseduesi i DW.
Kthimi i babait politik
Edhe pse nuk ishte ndonjë surprizë e madhe, njoftimi i liderit të Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojislav Sheshel, se ai do të marrë pjesë në zgjedhjet e Beogradit dhe dhe në zgjedhjet lokale në koalicion me partinë SNS-në të Vuçiqit në pushtet, ndërsa do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet republikane, shihet si një kuriozitet politik në Serbi. Aleksandar Vuçiq po shërbehet me shpjegime retorike për gjoja distancimin nga radikalët e Sheshelit, ku dikur ishte edhe vetë, duke thënë se “nuk do të formojë qeveri me ta”. Por në të njëjtën kohë nuk e mohoi bashkëpunimin me radikalët dhe Sheshelin në nivelin lokal.
Është e qartë se Shesheli ka kohë që bashkëpunon në mënyrë aktive me SNS-në dhe se atij po i jepet hapësirë e madhe në media për sulme ndaj opozitës, thekson Dushan Spasojeviq. “Ky koalicion tregon se qeveria është shumë e shqetësuar për rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve në Beograd. Prandaj, ata ndoshta do të përpiqen të përfshijnë në koalicion të gjithë ata që mund të marrin sado pak vota, në përpjekje për të parandaluar humbjen në kryeqytetin e Serbisë”, thotë Spasojeviq.
Radikalët vështirë se mund ta kalojnë pragun zgjedhor, thekson Gjorgje Vlajiq. “Ndërsa duke u bashkuar me SNS-në ata tani po përpiqen të sigurojnë mbijetesë politike. Këtu kemi të bëjmë me një kornizë të njëjtë vlerash, sepse SNS është parti e radikalëve të maskuar. Nuk duhet harruar se Shesheli është babai politik i Aleksandar Vuçiqit dhe kjo sigurisht nuk është befasi”, thekson gazetari.
Arsenali i njohur i manipulimeve të SNS
Sipas bashkëbiseduesve tanë, fushata e ardhshme do të jetë shumë e ashpër dhe e pistë. Dushan Spasojeviq shton se “fushata do të jetë shumë e pabarabartë”. Pra, gjithçka që kemi parë deri tani, plus fakti që opozita ka mundësi të marrë pushtetin në disa zona, do ta detyrojë qeverinë të përdorë të gjitha mundësitë dhe të gjitha truket e mundshme. Kjo do të thotë se Vuçiqin me siguri do ta shohim çdo ditë në televizionin kombëtar. E gjitha kjo është vetëm politikë dhe fatkeqësisht nuk do të ndryshojë asgjë”, është skeptik Spasojeviq.
Ndërsa Vlajić beson se SNS “do të bëjë gjithçka që mundet për të fituar në çdo vend, duke përfshirë fushatën e ndyrë zgjedhore, manipulimet e votave, manipulimet në numërimin e votave dhe frikësimin e votuesve. Do të përdorë pra arsenalin tashmë të njohur të presioneve dhe disfavoreve që SNS e përdor gjithmonë për të fituar zgjedhjet”, përfundon Gjorgje Vlajiq.
Fraksion.com