AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha, kushte ndaj Ramës për Parlamentin: Plotëso 3 kërkesat e PD që t’i rikthehemi normalitetit

Të vetmin kusht për t’iu rikthyer normalitetit në Kuvend, Sali Berisha ia përcolli sërish kundërshtarit të tij politik, duke e paralajmëruar se e kundërta do e çojë opozitën drejt përshkallëzimit të aksionit në Parlament.

“Të harrojë kush se ne kemi projekt për bojkotin e Parlamentit. Plotësoni kërkesat dhe jeta në Parlament zhvillohet sipas rregullave.”

Zhvillimet e të enjtes brenda dhe jashtë Kuvendit i cilësoi dëshmi e pakontestueshme e narko-diktaturës së vendosur në Shqipëri.

“Edi Rama me Lindën e tij në Parlament kishte futur në sallën e Parlamentit, në kundërshtim absolut me ligjet, njerëz të armatosur. Fytyra e shëmtuar policeske e narkoshtetit.”

Për të treguar se SPAK-u është vënë në shërbim të Kryeministrit solli si dëshmi vendimin e Gjykatës së Lartë pas padisë së bërë nga demokratët ndaj deputetëve, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, të cilët në 10 Korrik të vitit 2014 dhunuan në korridoret e Parlamentit deputetin Gent Strazimiri.

“Formuluan akuza kriminale për të dërguar në Gjykatën e Lartë. Por kur ne i dërguam në Gjykatën e Lartë, goditjen që i bënë Gent Strazimirit, Pjerin Ndreu me banditin tjetër, gjykata u përgjigj se kjo zgjidhet brenda Parlamentti. Por këtë herë kanë Sadushin omnipotent aty dhe ia dërgojnë atij, si siguri të madhe për të marrë ndonjë masë.”

Nuk tërheq asnjë akuzë ndaj SPAK-ut, ndonëse ky i fundit tha se ka nisur edhe një proces për Edi Ramën lidhur me çështjen “McGonigal”.

“Ata janë të aftë, siç e faktoi procesi politik ndaj meje, të fshehin dokumente, të falsifikojnë realitete, për të mbrojtur Edi Ramën.”

Kryeministrin e paralajmëroi se do t’i kundërpërgjigjet ashpër për atë që e cilëson proces politik të nisur ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit.

“Një procesi politik do i përgjigjem me një gjyq politik.”

I pakursyer u tregua në akuza edhe ndaj gjyqtarëve që tha se me urdhër politik të Edi Ramës po tentojnë të shkatërrojnë identitetin e Partisë Demokratike në procesin gjyqësor të nisur për logon dhe vulën e kësaj force politike.

 

Fraksion.com