Rishikimi i buxhetit 2023, Mete: Rritje e eficiencës së përdorimit të fondeve publike
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, paraqiti Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2023 në seancëne sotme plenare të Kuvendit.
Ministri Mete tha se “Akti Normativ ka në fokusin e tij rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike, nëpërmjet rialokimit të kursimeve dhe të ardhurave me ecuri pozitive”.
“Më konkretisht, akti synon reflektimin e një rritjeje prej rreth 7.5 miliardë lekë të të ardhurave, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave tatimore për 9- mujorin 2023, rishpërndarjen e rreth 46 miliardë lekëve mes zërave të shpenzimeve buxhetore, ruajtjen të pandryshuar të deficitit buxhetor”, u shpreh Mete.
Mete tha se sa i përket shpenzimeve, në Aktin Normativ parashikohet rritje të tre në 7.5 miliardë lekë, në bazë të kursimeve nga përmirësimi energjetik, shpenzimeve më të ulëta për interesa, dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike.
Sipas tij, financohet Fondi i Rindërtimit me 12 miliardë lekë, projektet me financim të brendshëm rriten me 13.8 miliardë lekë, shpenzimet korrente rriten me 10.7 miliardë lekë, fondi rezervë dhe kontigjenca është rritur 1.7 miliardë lekë, fondet për pushtetin vendor u shtohen 250 milionë lekë. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milionë lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.
“Akti Normativ nuk prek deficitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në”, deklaroi Mete.
Fraksion.com