OKB: Irani po kryen ekzekutime “në një shkallë alarmuese”
Irani po kryen ekzekutime “në një shkallë alarmuese” dhe vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti ka vrarë të paktën 419 persona, u tha në raportin e ri të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Sipas këtij raporti, në Iran ka pasur rritje të dënimeve kapitale për 30 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Shkalla e ekzekutimeve është rritur shumë, veçmas pas nisjes së protestave në Iran të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në Teheran më 2022 në kohën kur ishte në paraburgim për shkak të pretendimeve se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.
Autoritetet kanë shtypur protestat, duke lënë qindra të vrarë dhe mijëra të plagosur.
Guterres tha në raport se shtatë burra u ekzekutuan lidhur me pjesëmarrjen në protestat që u nxitën nga vdekja e Aminit.
Në të shtatë rastet, informacioni e marra “tregonin vazhdimisht se procedurat gjyqësore nuk përmbushnin kërkesat për një proces të rregullt dhe gjykim të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, tha ai.
Të dhënat fillimisht u publikuan në tetor në një raport të Javaid Rehman, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran.
Në raport u tha se ka dëshmi “se pranimi i fajit është bërë përmes torturës dhe se dënimi me vdekje është zbatuar pasi në procedurat gjyqësore janë shkelur parimet e një gjykimi të drejtë”.
Guterres po ashtu përmendi informacione që ka pranuar agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut në periudhën mes 17 shtatorit të vitit 2022 deri më 8 shkurt të vitit 2023, periudhë që vlerësohet se 20.000 persona ishin arrestuar për pjesëmarrje në protesta.
“Është veçanërisht shqetësuese se shumica e të arrestuarve mund të kenë qenë fëmijë, marrë parasysh raporteve që mosha mesatare e të arrestuarve besohet të jetë 15 vjeç, sipas zëvendëskomandantit të Gardës Revolucionare Islamike”, tha Guterres.
Shefi i OKB-së shprehu shqetësim “për mungesën e transparencës dhe hetimeve të pavarura për shkeljet e të drejtave të njeriut, veçmas në kontekstin e protestave të fundit mbarëkombëtare”.
Ai tha se 239 persona – më shumë se gjysma e personave të ekzekutuar në shtatë muajt e parë të vitit 2023 – raportohet se u ndëshkuan me dënimin kapital për krime të lidhura me drogën.
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka thënë se regjimi në Teheran ekzekuton më shumë njerëz sesa të gjitha shtetet në botë, përjashtuar Kinën, dhe burgjet e këtij shteti i ka përshkruar si “fushë të vrasjeve”./rel
Fraksion.com