DW: Baerbock me propozime për zgjerimin e BE
Qeveria gjermane parashtron sot përfytyrimet e saj për zgjerimin dhe reformimin e BE në situatën aktuale. Në një konferencë pune në Berlin, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehet për hapjen e Bashkimit Evropian në fusha të caktuara për shtetet kandidate, edhe para anëtarësimit.
Gjashtë shtete të BP, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të jenë përfitues të këtij afrimi gradual.
Gjermania për afrimin gradual edhe para anëtarësimit të kandidatëve
Gjermania mbështet afrimin gradual edhe para anëtarësimit të shteteve kandidate në BE me strukturat e BE, si p.sh. në Këshillat e Ministrave të BE, bën të ditur ndër të tjera Süddeutsche Zeitung.
Berlini dëshiron që të hapen më parë për kandidatët e BE programe të BE, si kërkimi shkencor, roaming për telefoninë celulare ose procedurat e thjeshtuara të vizave. Në përgjithësi kjo do të vlejë për fushat ku janë mbyllur me sukses kapituj negociatash anëtarësimi me Komisionin Evropian.
Për Gjermaninë, kjo nuk nënkupton shkurtim të rrugës për anëtarësim në BE. Në kuadër të reformës së BE, Gjermania do të kërkojë që pagesa e fondeve të BE në të ardhmen të orientohet më fort në respektimin e parimeve demokratike dhe të shtetit ligjor. Për këtë do të thjeshtohen procedurat e vënies para përgjegjësisë së shkelësve.
Ide të ngjashme paraqiti në samitin BE- Ballkan Perëndimor në Tiranë kryetarja gjermane e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në fakt në Bruksel, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, po shqyrtohet në grupe pune afrimi para anëtarësimit i kandidatëve me fusha të BE.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka ritheksuar interesin gjeopolitik të BE dhe të Gjermanisë për hapa konkretë në afrimin me kandidatët, veçanërisht me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Gjermania përcakton tonin para mbledhjes së Këshillit Evropian
Me konferencën e sotme në Berlin, në të cilën marrin pjesë ministrat e Jashtëm të BE bashkë me homologët nga 10 shtete kandidate, Gjermania përcakton tonin para mbledhjes së Këshillit Evropian. Në fund të nëntorit, shefat e shteteve dhe të qeverive të BE do të vendosin njëzëri për hapat e mëtejshëm. Para këtij hapi, në 8 nëntor Komisioni Evropian do të paraqesë një raport për zgjerimin me anëtarë të rinj. Pritet që KE të japë një rekomandim për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Burime nga ministria e Jashtme gjermane bëjnë të ditur se takimi i sotëm është organizuar në disa pjesë. Pas fjalimit programatik të ministres së Jashtme Baerbock, pason një referat ekspertësh dhe një diskutim.
Më tej, ministrat e Jashtëm do të diskutojnë në mënyrë të thelluar jo publikisht në grupe pune për aspektet e zgjerimit. Në një panel të posaçëm, ministrja e Shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann do të diskutojë për tema konkrete të reformës së BE.
Fraksion.com