Timothy Garton Ash, në Tiranë për të rrëfyer historinë e të tashmes
Shkrimtari Timothy Garton Ash ka qenë në Tiranë këtë të hënë, për të prezantuar librin e tij “Homelands” (”Vendet e mia” – Botimet Dudaj).
Timothy Garton Ash është autor i 11 librave, të cilët siç thotë vetë, fokusin e kanë mbi transformimin e Evropës gjatë gjysmëshekullit të fundit. Ai është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit, studiues dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover, Universiteti i Stanfordit dhe gjithashtu analist i rregullt i çështjeve ndërkombëtare në të përditshmen britanike, “The Guardian”.
Garton Ash, siç e theksoi Remzi Lani, drejtor i Institutit të Medias, në prezantimin e librit, është një shkrimtar që merret kryesisht me historinë e të tashmes. Dhe këtë ka bërë dhe në bashkëbisedimin në aktivitetin e organizuar me këtë rast, ku të pranishëm kanë qenë ish presidentë, ministra e ish ministra, pjesëtarë të botës akademike, medias etj.
Libri i fundit i Timothy Garton Ash është përkthyer tashmë në 19 gjuhë të ndryshme.
E veçanta e autorit është se ai ka qenë dëshmitar i dorës së parë, në shumë prej vendeve dhe ngjarjeve që përmend në libër.
Si për shembull, atëherë në 1978-ën e largët, në takimin e tij të parë me Tiranën, i cili padyshim nuk do të kish qenë i mundur nëse nuk do të kishte pranuar të shkurtonte flokët e gjatë dhe barsetat në aeroportin e Rinasit, ku mbërriti bashkë me një grup profesorësh marksistë dhe kolegësh.
Apo atëherë kur, pak orë pas shembjes së Murit të Berlinit, tek shkelte disa metra brenda territorit dikur të ndaluar për perëndimorët, takonte një djalosh që nuk e mbante dot gëzimin, i cili i tha: “Tani po, që ka përfunduar me të vërtetë Lufta”.
Apo kur, menjëherë pas ribashkimit të dy Gjermanive, takoi kancelarin Helmut Kohl, “atë burrë gjigand, të gjatë e të gjerë si akush tjetër që ka takuar ndonjëherë”, i cili me tonin e tij të rëndë të zërit iu drejtua: “A e di ti, që je duke takuar pasardhësin e drejtpërdrejtë të Adolf Hitlerit”? (E pasaktë kjo, sipas vetë Garton Ash, por që aq shumë ishte shastisur nga sjellja e Kancelarit, sa nuk kish mundur t’ia vinte në pah pasaktësinë e pohimit).
Mes shumë episodeve të tilla, tejet domethënëse, të cilat syri dhe mendja e mprehtë e shkrimtarit nuk ia ka dorëzuar harresës, falë edhe “shoqëruesve të pandarë”, lapsit dhe bllokut në xhepin e brendshëm të xhaketës, spikat padyshim ai i takimit me një rus, i cili në bisedë e sipër i kishte thënë: “Krimea është e Rusisë”. Një bisedë kjo, e bërë shumë vite përpara se të vinte 2014. “Besoj se e merrni vetë me mend”, na tha vetë shkrimtari, se cili kishte qenë bashkëbiseduesi. (E morët me mend!) Vladimir Putin!
Duke ardhur më pranë, tek Shqipëria, një vend që e sheh pabesueshmërisht të transformuar pas vizitave në 1978 dhe 1991, ngadalësinë e procesit të integrimit evropian përpiqet ta shpjegojë me një anektodë historike. Duke sjellë në vëmendje qasjen e palëve të interesuara për problemin e rajonit të Alsaice-Lorraine, midis Francës dhe Gjermanisë: “Le ta mendojmë çdo ditë, por të mos flasim për të”. Në rastin e Bashkimit Evropian dhe procesit të zgjerimit të tij në dekadat e fundit, sipas Timothy Garton Ash, qasja ka qenë e përmbysur: “Le të flasim për të, por të mos e mendojmë”.
Janë të gjitha copëza historish, ngjarjesh dhe bisedash që, të para “me mendtë pas kuvendit”, ofrojnë shpjegime të kristalta për “historinë e të sotmes”.
Çështja është, çfarë pritet të ndodhë?
Ku do të shkojë Evropa? Si do t’i përballojë ajo krizat? A do të jetë e ndarë, apo do të jetë e bashkuar, në një botë ku perëndimi, sipas vetë Garton Ash “nuk po dikton më agjendën”?
Edhe këtu, historia sipas shkrimtarit ka plot mësime për të dhënë.
Fjala vjen, çdo herë që Evropa ka patur një qasje Euroatlanticiste, ajo ka qenë e bashkuar. Çdo herë që ka patur një qasje EuroGoliste, ka qenë e ndarë. Si do të shkojë? Historia e të tashmes me siguri do të na e tregojë./bota.al
Fraksion.com