Tensionet në Kuvend, Komisioni i Etikës merr vendimin, përjashtohen me 10 ditë 5 deputetë të Berishës! Korreshi me 3 ditë! Ndaj Gështenjës s’merret masë
Komisioni i Etikës me kërkesë të 13 deputetëve të Partisë Socialiste ka marrë vendimin që të përjashtojë nga Kuvendi 6 deputetë të Rithemelimit. Konkretisht janë përjashtuar me 10 ditë deputetët Gazment Bardhi, Bledion Nallbatit, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi. Ndërkohë me 3 ditë është përjashtuar Saimir Korreshi. Sakaq mësohet se ndaj Lefter Gështenjës nuk është marrë masë disiplinore, ndonëse edhe ndaj tij socialistët kishin kërkuar masë ndëshkimore.
Por para se Komisioni i Etikës të mblidhej, Berisha dhe deputetët që e mbështesin, krijuan rrëmujë dhe përplasje në ambientet e kryesisë së Kuvendit, pasi tentuan që të futen në mbledhje, duke tentuar që të mos lejojnë zhvillimin e mbledhjes.
Socialistët u gjendën të papërgatitur nga ky skenar, ndërsa shumë prej tyre të painformuar për faktin se përplasjet po transmetoheshin në Facebook-un e kreut të Rithemelimit. Por vendimin e Komisionit të Etikës, vetëm me votat e socialistëve, opozita paralajmëroi se nuk do ta njohë.
‘Gjithçka do të vendoset nga grupi, do të mblidhemi, por ne vendimin nuk e njohim. Nuk njohim vendime të paligjshme. Por ju e patë vetë, janë të filmuar.’- tha Berisha.
Opozita e Bardhit dhe Berishës ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.
13 deputetët e PS-së kërkuan masë disiplinore për deputetë të cilët në seancën e 30 tetorit 2023 në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan foltoren e Kuvendit, hoqën kartat nga pajisjet elektronike të deputetëve të Grupit Parlamentar të PS të cilët ishin të regjistruar për të diskutuar mbi çështjet e evidentuara nga zgjedhësit. Situata arriti deri në përplasje fizike midis deputetit Vullnet Sinaj dhe deputetit Bledion Nallbati.
Fraksion.com