AktualitetBota+Të fundit

Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme për ekonominë gjermane

Përveç varësisë nga energjia, Lindja e Mesme është një treg në rritje për Gjermaninë. Si ndikon lufta e fundit mes Izraelit dhe Hamasit?

Eksportet gjermane në Izrael përbëjnë vetëm 0.4% të eksporteve totale të vendit – duke filluar nga automjetet, pjesët e automjeteve, makineritë, energjia e rinovueshme, kimikatet dhe farmaceutikët. Por ky vend është i rëndësishëm si një partner ekonomik.

“Tregtia dhe investimet e huaja direkte midis dy vendeve janë të vogla. Por për transferimin e teknologjisë dhe bashkëpunimin në kërkimet shkencore dhe në fizikë, Izraeli është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka qenë që nga vitet 1960,” thotë për DW Rolf Langhammer, një studiues shkencor në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore (IfW Kiel).

Vitet e fundit, firmat gjermane kanë ndërtuar marrëdhënie të mira me shumë prej start-upeve të teknologjisë izraelite. Sipas faqes së internetit të qeverisë gjermane, kompanitë e mëdha si Merck dhe Siemens rekrutojnë inxhinierë të klasit të lartë nga Izraeli. Ndërsa Deutsche Telekom, Bosch, Daimler, Volkswagen dhe BMW kanë qendra për kërkim dhe zhvillim në Izrael ose kanë investuar në firma të reja.

Disa bashkëpunime gjermano-izraelite në pritje për momentin

Udhëheqësit e industrisë presin që bashkëpunimi midis dy vendeve të mbetet i fortë, veçanërisht pasi Izraeli është lider në sigurinë kibernetike, bioteknologjinë, shëndetin dhe energjinë e rinovueshme, si dhe inovacionet në sektorin e ushqimit. Por, në afat të shkurtër, shumë projekte janë në pritje pasi mbretëron pasiguri rreth konfliktit Izrael-Hamas.

“Ka një frikë të madhe [në mesin e kompanive gjermane] nga përshkallëzimi, veçanërisht nëse përfshihen Irani ose të tjerët,” thotë për DW Charm Rykower, zëvendësdrejtor i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Gjermano-Izrael (AHK Israel). “Nuk dua ta imagjinoj rezultati, nëse kemi një konflikt të gjatë dhe të përgjakshëm përpara nesh”.

Rykower tha se firmat gjermane që operojnë në Izrael, për momentin, janë duke pritur. Por nënvizoi se ekonomia izraelite po vuan tashmë nga efektet e sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Valuta izraelite Shekel ka rënë në nivelet më të ulëta prej vitesh kundrejt dollarit amerikan. Qindra mijëra njerëz janë thirrur në ushtrinë izraelite, duke lënë kështu punën e tyre pa ndonjë zëvendësim në kompani. Mijëra punonjës të tjerë janë dërguar në pushim pa pagesë përkohësisht, pasi edhe klientët janë mbyllur në shtëpi për shkak të kërcënimit të sigurisë. “Duhet të jemi të durueshëm dhe të shpresojmë që ky konflikt të mos përshkallëzohet dhe se gjërat do të rikuperohen brenda disa javësh”, shtoi Rykower.

Balancimi i Gjermanisë

Qeveria gjermane ka shprehur mbështetjen e plotë të Izraelit për t’u mbrojtur. Por në të njëjtën kohë, Gjermania duhet të bëjë një veprim delikat balancimi pasi vendet e tjera të Lindjes së Mesme kanë denoncuar taktikat ushtarake të Izraelit në luftën kundër grupit militant Hamas. Shumë prej këtyre vendeve janë, ose kanë potencialin për të qenë, partnerë ekonomikë edhe më të rëndësishëm për Gjermaninë.

Katari, për shembull, po luan një rol ndërmjetës në ndihmën për të siguruar lirimin e rreth 220 pengjeve të kapur nga Hamasi në Izrael gjatë sulmeve të 7 tetorit. por Katari ka kritikuar ashpër edhe luftën e Izraelit kundër Hamasit, i cili deri më tani ka lënë më shumë se 8.000 të vdekur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Këtë javë, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani tha se “Izraelit nuk duhet t’i jepet një dritë jeshile e pakushtëzuar dhe autorizimi i pakufizuar për të vrarë palestinezët”.

Langhammer i IfW Kiel thotë për DW se: “Katari shquhet si investitori më i rëndësishëm i Lindjes së Mesme në Gjermani. Katari ka aksione në kompanitë si Volkswagen, Deutsche Bank dhe Siemens.” Ai vuri në dukje se si vitin e kaluar, mu në mes të krizës energjetike dhe rritjes së madhe të çmimet e gazit natyror, Gjermania nënshkroi një marrëveshje me Katarin për të siguruar furnizime me gaz natyror të lëngshëm (LNG), i cili do të fillojë në vitin 2026.

“Çdo lloj përshkallëzimi i krizës do të godiste rëndë Gjermaninë për shkak të varësisë së saj nga energjia e këtij rajoni. Por në të njëjtën kohë, një vend si Katari nuk dëshiron të shohë që po ulen investimet e tij në kompanitë më të mëdha gjermane,” shtoi Langhammer. “Kërcënimi më i madh është, natyrisht, Irani”, thotë ai.

Irani, i cili mbështet Hamasin dhe grupin militant libanez Hezbollah – i cili po ashtu po lufton Izraelin – ka kërcënuar më parë se do të bllokojë ngushticën e Hormuzit. E kjo ngushticë është pika më e rëndësishme e kalimit të naftës në botë, për shkak të vëllimeve të mëdha të naftës që transportohen përmes rrugës ujore.

Irani është kryesisht i shkëputur nga tregtia me Perëndimin, për shkak të programit të tij të diskutueshëm bërthamor dhe sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së.

Vende të tjera në rajon, duke përfshirë Egjiptin dhe Arabinë Saudite, me popullsinë e tyre prej 109 dhe 36 milionë banorësh, janë gjithashtu me interes në rritje për eksportuesit gjermanë.

“Lidhjet ekonomike me rajonin e Lindjes së Mesme janë të një rëndësie strategjike,” thotë për DW Helene Rang, CEO e Shoqatës Gjermane të Lindjes së Afërt dhe të Mesme (NUMOV). “Ndër faktorët kryesorë këtu janë afërsia gjeografike si dhe tregjet në rritje, për shkak të konsumit dhe numrit të madh të popullatës atje.”

Rang foli për projekte të mëdha infrastrukturore të ardhshme, duke përfshirë edhe Neomin e Arabisë Saudite – një qytet i madh futuristik që po ndërtohet përgjatë Detit të Kuq me një kosto prej gjysmë trilion dollarësh – të cilat ofrojnë mundësi për bizneset gjermane.

“Ne shpresojmë se nuk do të ketë përshkallëzim dhe se ky konflikti nuk do të ketë një ndikim të madh në bashkëpunimin ekonomik. Situata është e vështirë … [por] në të njëjtën kohë, ne shpresojmë gjetjen e një zgjidhje përmes diplomacisë ndërkombëtare. Takimi i paqes në Egjipti ishte një hap i parë i rëndësishëm”, pohon Rang./DW

 

Fraksion.com