Buxheti 2024, Balla: Rritje e konsiderueshme e pagave në Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, buxheti 2024 parashikon rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit.
Në fjalën e tij në eventin “Siguri – Vlerësim – Mbështetje”, për rezultatet e operacionit kombëtar “Tempulli”, sezonin turistik veror, si dhe prezantimin e paketës ligjore për rritjen e sigurisë, Balla tha se, “nuk e fsheh dot gëzimin të shoh sot këtu të shëruar plotësisht dy djem të shkëlqyer, pjesëtarë të organizatës së Policisë së Shtetit, Redin Caushaj dhe Edlir Alleshi, të cilët në ushtrimin e tyre të detyrës, u plagosën rëndë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre”.
“Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit”, u shpreh Balla.
“Kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero”, theksoi ai.
“Nëse qytetari mendon se ai ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, qytetari ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhërin e punonjësit të policisë në rrugë administrative, por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet”, shtoi Balla.
Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por ne duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit. As Ligji, as publiku dhe as unë që të jem i qartë nuk mund të pranojmë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, nënvizoi ai.
Balla u shpreh se, “ka ardhur koha që të japim shembuj të zbatimit sipas gërmës dhe frymës së Kodit Penal, duke vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Policit dhe Shtetit. Kjo duhet të ndodhë në çdo rast, pa asnjë hezitim”.
Balla theksoi se do të bëjë gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.
“Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit”.
“Në të gjitha takimet që kam pasur deri më tani në të gjitha drejtoritë vendore në të 12 qarqet e vendit, ju kam garantuar se meraku që më shoqëron çdo ditë lidhet me dinjitetin e punonjësit të policisë së shtetit. Rritja e standardit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja”, tha ai.
Prandaj, shtoi Balla, “e bëmë fakt dhe kemi tashmë gati 100 banesat e para për vitin 2023, bashkë me të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit që tashmë janë në fazën e përzgjedhur bazuar në kritere të mirëpërcaktuara. Buxheti 2024 do të na japë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit dhe gjatë vitit tjetër t’i japim një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie”.
Fraksion.com