AktualitetBota+Të fundit

Ekspertët e OKB-së kërkojnë që talibanët t’i lirojnë dy aktiviste

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje talibanëve që të lirojnë menjëherë dy aktiviste për të drejtat e njeriut, të cilat gjenden në paraburgim për më shumë se një muaj, përderisa talibanët nuk kanë dhënë asnjë arsye për arrestimin e tyre.

Talibanët kanë ndaluar gratë nga shumica e jetës publike dhe ua kanë ndaluar të punojnë. Vajzave afgane u është ndaluar që të vijojnë mësimin përtej klasës së gjashtë, si pjesë e masave të ashpra të vendosura nga talibanët që kur rimorën pushtetin më 2021, pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Ekspertët e OKB-së, përfshirë raportuesin e posaçëm për Afganistanin, Richard Bennett, thanë se lirimi i Neda Parwan dhe Zholia Parsi dhe anëtarëve të familjeve të tyre është çështje urgjente.

Dy aktivistet nuk kanë pasur të drejtë të kenë përfaqësim ligjor për akuzat që janë ngritur ndaj tyre.

“Ne jemi të shqetësuar për mirëqenien e tyre fizike dhe mendore”, thanë ekspertët përmes një deklarate. Ata u bënë thirrje autoriteteve talibane që të respektojë të drejtat dhe liritë dhe thanë se arrestimi i aktivisteve është bërë pa asnjë justifikim.

Sipas ekspertëve, banorët në Afganistan nuk duhet të cenohen nga të drejtat e tyre për shprehjen e mendimeve të tyre dhe mbrojtëset e të drejtave të grave në veçanti janë në rrezik për shkak se mund të shënjestrohen për shkak të gjinisë së tyre.

“Talibanët duket se po vazhdojnë të intensifikojnë kufizimet e tyre në hapësirën shoqërore, veçmas duke heshtur zërat e grave dhe vajzave”, u tha në deklaratë.

Afganistani është shteti i vetëm në botë që ka kufizime në shkollimin e grave dhe vajzave.

 

Fraksion.com