“Çdo vjehërr do ta ëndërronte”, Rama batuta me kampionin e karatesë: S’jam kandidat, se vajzën e kemi të zënë, por…
Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” sportistit të Federatës së Karatesë Alvin Karaqi, i cili garoi në Lojërat Europiane të Krakovës në Poloni, duke nderuar Shqipërinë me titullin kampion.
Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, në Sallën e Hartave, Kryeministri Rama tha ndër të tjera, se “sot mund ta themi me plot gojën që Shqipëria e vogël, që nuk është ndër vendet e pasura, iu ofron kampionëve dhe atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’u bërë kampion, një mbështetje që pak vende e kanë, e ilustruar kjo më së miri me numrin e kampionëve që ne tani kemi si asnjëherë më parë dhe me numrin e të rinjve premtues që janë gjithmonë e më të motivuar dhe kanë gjithmonë e më shumë besim se nuk janë më vetëm”
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli.
Rama vlerësoi sakrificën dhe mundin e Alvinit, i cili kryen edhe profesionin e mjekut në Zvicër.
Rama theksoi në fjalën e tij se Alvini është një shembull i jashtëzakonshme për të gjithë.
“Një kampion që ka një veçanti të madhe sepse në ndërkohë që arrijnë të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtarë në sportin e tij, është dhe një shërbëtor i përditshëm, i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek, në Zvicër, ku standardet janë nga më të lartat në botë dhe ku profesionistët që ushtrojnë profesionet, në këtë rast të mjekut, janë ndër më të mirët në botë. Në këtë të dytën nuk ka medalje, por jam i bindur që sikur të kishte, nuk do ishte çudi që Alvini edhe si mjek të merrte medalje ari. Për këtë arsye ai përbën një shembull absolutisht frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se Alvini për të realizuar pasionin e tij fle vetëm katër orë.
“Ne i bëjmë këto ceremoni për t’i shprehur mirënjohjen kampionëve, por edhe për t’i dhënë mundësi të gjithë të tjerëve, që të marrin sado pak nga energjia e tyre pozitive, nga shembulli i tyre. Të marrin sadopak nga forca e tyre e besimit, vullnetit, e gatishmërisë për të tejkaluar çdo vështirësi sepse deri tek momenti kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni, nuk është thjesht ajo që ne të tjerët shohim në zhvillimin e një kompeticioni, por është një histori e tërë që askush nuk e sheh, përveç atij që e përjeton, që nis nga zgjimet pa gdhirë dhe vijon deri në darkë me gatishmërinë për t’u zgjuar sërish pa u gdhirë. Alvini më tregoi se fle diku tek katër orë, dhe se i mbyll sytë duke menduar se si t’i hapë sa më shpejt për të vazhduar ditën tjetër, duke i bërë të dyja detyrat e veta, atë karshi profesionit të mjekut dhe atë karshi pasionit të tij të sportistit kampion”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë garantoi për sportistët mbështetjen e plotë nga institucionet shtetërore.
“Ne kemi sportistë që vijnë nga të tjera vende dhe që zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë për të garuar me fanellën kuqezi dhe që ngrenë flamurin tonë kombëtar sepse këtu përfitojnë pikërisht nga këto kushte të reja të krijuara dhe nga ky kuadër i ri i mbështetjes. Alvini nuk ka nevojë që të përfshihet në Forcat e Armatosua të Republikës së Shqipërisë, si kampion që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë anëtar i Forcave tona të Armatosura dhe për të marrë një gradë në Forcat tona të Armatosura sepse ai jeton me profesionin e tij të mjekut, por të gjithë sportistët që arrijnë në këto nivele, nuk kanë më asnjë dilemë, asnjë ankth, asnjë frikë për të ardhmen e tyre në jetën që vazhdon pas aktivitetit sportiv”, u shpreh Rama.
“Siç ka ndodhur më parë edhe me kampionë të spikatur shqiptarë që janë gjendur në kushte realisht varfërie dhe braktisjeje për shkak se nuk ka menduar askush për ta. Kjo është një kohë që ne e kemi lënë pas dhe të gjithë kampionët tanë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat tona të Armatosura deri në fund të jetës së tyre aktive dhe kanë dhe pensionin të garantuar si ish-ushtarakë, aq me tepër në kushtet kur ne po e rrisim çdo vit financimin për ushtarakët tanë duke arritur sot që të kemi pagat në nivelin e të gjithë ushtrive të NATO-s në rajon dhe do të vazhdojmë ta rrisim mbështetjen për ta, duke iu dhënë mundësinë që të ndjehen të mbështetur, të ndjehen të respektuar dhe të shpërblyer për sakrificën e tyre në uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, vijoi Kryeministri.
“Nga ana tjetër, u përmend këtu epoka e re që ne kemi hapur me lëvizjen sportive në shkolla. Kur ne kemi marrë detyrën Shqipëria vinte pas 20 e kusur vitesh të braktisjes së plotë të edukimit fizik në sistemin e shkollës. Ne filluam me ringjalljen e edukimit fizik në shkollë. Na u desh kohë që të kishim aftësi financiare për të shkuar më tutje dhe tanimë kemi një fond të përvitshëm për Komitetin Olimpik Shqiptar, në funksion të lëvizjes sportive në shkolla, e cila ka filluar me volejbollin dhe basketbollin në të dyja kategoritë për djem dhe për vajza dhe tani do të fillojë të shtrihet edhe në sportet e tjera, të cilat ka shumë fëmijë të talentuar që duan t’i ushtrojnë që nga peshëngritja tek mundja, tek shahu, ping-pongu e kështu me radhë deri tek atletika, në mënyrë që çdo vajzë e çdo djalë që shkon në shkollë të ketë edhe një aktivitet sportiv”, theksoi Rama.
“Natyrisht jo të gjithë bëhen kampionë, jo të gjithë do të përshihen në rrugën e sportit profesionit apo gjysmë profesionist, por ka shumë rëndësi për një vend dhe për një shoqëri që të gjithë fëmijët të kenë mundësi që krahas shkollës, të zhvillojnë dhe aktivitet fizik, të përfshihen në skuadra, të jetojnë një pjesë të ditës me sportin sepse kështu ata bëhen më të fortë, më të vetëdijshëm për trupin, për vlerën e shëndetit të tyre, por pa dyshim edhe qytetarë më të mirë, më socialë, më të përgatitur për të bashkëjetuar me të tjerë dhe për të kuptuar edhe sfidat e bashkëjetesës me të tjerë”, tha Rama.
“Nga ana tjetër jam i bindur që duke ecur në këtë drejtim, ne do të fillojmë të shohim vit pas viti frytet e kësaj lëvizjeje edhe në nivelin e kampionateve tona, edhe në nivelin ndërkombëtar sepse nga kjo lëvizje do të jetë shumë më e mundur dhe shumë më e lexueshme, lindja dhe zhvillimi i talenteve pasi kjo lëvizje do t’ju japë mundësinë të gjithëve, nga Tropoja deri në Konispol që nëse kanë një talent , nëse kanë një pasion, nëse kanë një mundësi për tu përfshirë në aktivitet sportiv të kenë derën e hapur për tu përfshirë dhe për ta bërë këtë”, tha Kryeministri.
“Në mbyllje i dashur Alvin, unë dua të të them që prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Është po aq e rëndësishme sa prania e një presidenti apo një kryeministri që vjen të na vizitojë nga cilido vend i Europës. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër unë të uroj shëndet në radhë të parë, sepse kjo është e padiskutueshme si kusht që ti të vazhdosh të stërvitesh dhe të arrish sukses. Të uroj të vazhdosh të jesh ky që je, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe nga respekti i të gjithëve, e mbi të gjitha që familja juaj të jetë e lumtur edhe të ketë sa më shumë arsye për të qeshur e për të gëzuar”, përfundoi Rama.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastriliu, në fjalën e saj, nënvizoi rëndësinë e një modeli frymëzues si Alvini, teksa shtoi dhe rëndësinë që qeveria po i jep sportit.
“Më bëri përshtypje për atë që kishe shkruar për trajnerin, pasi një sukses i tillë nuk mund të arrihet i vetëm. Ti ke shkruar se “një trajner i mirë mund të ndryshojë rrjedhën e lojës, por një trajner i madh ndryshon rrjedhën e jetës””, citoi Manastirliu. “Ti je një shembull frymëzimi për të rinjtë për faktin se ti ndjek ëndrrën tënde dhe kjo ka kërkuar shumë kurajo, guxim, mundim e sakrificë”, vijoi ajo.
“Ne s’do ndalemi së investuari për sportin. Në dy vitet e fundit ka qenë një investim për ta kaluar në nivel të ri sportin. Lëvizja sportive në shkolla është një nismë që synon pikërisht këtë. Janë 10 000 fëmijë të angazhuar në sistemin tonë arsimor, në volejboll e basketboll. Duam që vitin tjetër të zgjerojmë këto disiplina, ku mund të jenë atletika…etj”, vijoi Manastirliu.
“Puna dhe përpjekjet tona do të vazhdojnë, pasi investimi te të rinjtë përmes sportit është investim që ndikon në mirëqenie fizike, mendore dhe për të lartësuar emrin e Shqipërisë. Kemi projekte të mëdha për të çuar përpara. Ashtu sikundër projektet kanë nisur të ringjallen për sa i përket stadiumeve, parqeve olimpike, shkollave të reja. Do të vazhdojmë investimet në terren sportive, palestra të reja, kjo edhe falë buxhetit të ri. Stadiumet në Korçë, Vlorë e Durrës…Po ashtu dhe klubi akademisë së futbollit Dyrrah me mbështetin e Manchester City, janë pjesë e investimeve të planifikuara. Shumë plane për të çuar përpara sportin. Duam të ndërhymë te ligji i sportit për të shtuar mbështetjen për para-olimpikët, personat me aftësi ndryshe etj. Viti tjetër do na gjejë me një tjetër strategji për zhvillimin e sportit”, tha Manastirliu.
Kreu i KOKSH Fidel Ylli kujtoi sfidën e Alvinit drejt suksesit, duke dhënë detaje nga dita e ngritjes së medaljes. “Pasi humbi sfidën e parë, të gjithë u bëmë bashkë pranë Alvinit, duke i dhënë mbështetje maksimale. Ai arriti të triumfoi duke mundur të gjithë më pas, kampionin e botës në fuqi, Europës dhe sfidantët e tjerë”, tha Ylli.
Vetë Alvin Kariqi, tha se ishte emocionuese dita kur iu besua flamuri shqiptar për të qenë drejtuesi i delegacionit. “Medalja ime ishte pikërisht ai moment, kur u bëra bajraktari i flamurit tonë kombëtar. Falënderoj familjen, prindërit, të gjithë që më kanë mbështetur dhe trajnerin. Në kirurgji dhe sport jam pragmatik dhe nuk flas shumë. Faleminderit të gjithëve dhe ndjesë për emocionet. Uroj që ekipi i karatesë dhe të gjithë sportistët ta përjetojnë këtë emocion që po përjetoj unë sot”, tha Alvin Kariqi.