AktualitetTë fundit

Tentoi të rrëmbente tokën tek Kepi i Rodonit, Kisha: Mark Frroku s’është autorizuar nga ne!

Një tokë bujqësore duket se është bërë kryefjalë e sherrit mes dy grupeve dje në Kepin e Rodonit, që çoi në arrestimin e 8 personave, mes tyre dhe ish-deputeti i PS-së, Mark Frroku.

Duke u hequr si përfaqësues të Kishës ata kanë nisur rrethimin e pronës, por janë përballur me rezistencën e banorëve, të cilët pretendojnë se kanë pronësinë.

Por përfaqësuesja e Kishës Katolike në këtë zonë, zonja Ana Shtjefni, tha për News24, se këta persona nuk janë përfaqësues të Kishës.

Ajo ka deklaruar se personat që kanë nisur rrethimin e zonës dhe nuk janë përfaqësues të Kishës dhe as të autorizuar nga kjo e fundit dhe se sipas Shtjefnit kanë dashur vetëm të përfitojnë nga ky konflikt.

Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se i është kërkuar Kadastrës informacion lidhur me pronësinë e asaj sipërfaqe toke e cila ka vite që është kthyer në mollë sherri mes Kishës katolike dhe disa banorëve të zonës (familja e Bajram Kaculit) pasi që të dyja palët pretendojnë pronësinë mbi të. Përgjigja ende nuk ka mbërritur. Ende nuk mund të themi se cila palë ka të drejtë thonë në polici pasi mund të ketë edhe mbivendosje.

Nëse sipërfaqja prej 5 dynym e 400 m2 tokë që (pretendojnë të dyja palët) e cila të dërgon në bregdet i kalon Kishës, atëherë banorët e zonës bllokohen për të dalë në bregdet ku punojnë në aktivitete të ndryshme si peshkim,plazh,lokale etj.

Kisha katolike ka në zotërim 150 ha tokë të kthyer nga komisioni i kthimit e kompensimit të pronave rreth 16 vjet më parë. Brenda këtij territori janë vendosur kisha e famshme e Shën Ndout, Kalaja e Skënderbeut, një vijë e gjatë bregdetare si dhe një pyll me pisha. Kisha është pronari më i madh i tokës në atë zonë

Edhe më parë ka pasur konflikte mes banorëve dhe përfaqësueseve të kishës për të njëjtin problem. Pas përplasjeve, gjithmonë ka pasur një periudhë qetësie por ajo është prishur sërish sikurse ka ndodhur edhe në rastin më të fundit. Konfliktet fillojnë kur palët tentojnë të vendosin kufirin aty ku pretendojnë se është prona e tyre.

 

Fraksion.com