AktualitetPolitikëTë fundit

Sot Kuvendi në seancë 4 orëshe, priten tensione!

Pritet të jetë një seancë e nxehtë parlamentare kjo e sotmja që pritet të nisë në orën 17:00 ku pritet mbizotërojë tema e akuzave të ngritura nga SPAK ndaj Sali Berishës lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani.

Në faqen zyrtare të Kuvendit krahas njoftimit të seancës është publikuar dhe vendimi që ndalon 23 deputetët e përjashtuar të opozitës të jenë në seancë.

Në vendimin e marrë nga sekretariati për procedurat, votimet dhe etikën që mban datën 19 tetor 2023 shprehet qartë se masa disiplinore ‘përjashtim për pjesëmarrje në komisione dhe në seancë plenare’ fillon më 20 tetor deri më 30 tetor 2023, por ky vendim duket që do të refuzohet nga Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij të cilët kanë thënë që do të jenë sot të pranishëm në seancë.

Vendimi sipas rregullores i ka shkuar edhe gardës së Republikës që të marrë masa, por deputetët kanë lajmëruar se do të jenë të pranishëm.

Dje Gazmend Bardhi u ka dërguar një mesazh deputetëve të Rithemelimit, mbështetësve te tij që të jenë të pranishëm pasi pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili sipas tij parashikon përjashtimin e tyre për 11 ditë.

Në mesazh Bardhi u shkruan që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta për të shkuar “në grup në seancë”.

“Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”shkruhej në mesazhin e Bardhit drejtuar dje deputetëve të Rithemelimit.

 

Fraksion.com