AktualitetTë fundit

Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, i arrestuar edhe ish-deputeti Mark Frroku

Ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Durrësit pas konfliktit të një dite më parë në Kepin e Rodonit në Durrës për çështje pronësie. Sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës ka nisur për pronën, ndërsa më pas ka agravuar deri në dhunë fizike. Të 8 personat u shoqëruan një ditë më parë, ndërsa burime të Report Tv konfirmuan sot se janë arrestuar. Mark Frroku ishte në mesin e përfaqësuesve të Kishës Katolike. Përveç Frrokut, të arrestuar janë Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka dhe pëfaqësuesit e Kishës Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë qenë duke rrethuar pronën për të cilën kanë certifikatë pronësie dhe këtu ka nisur sherri, ndërsa një ditë më parë u raportua edhe për të shtëna me armë. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Në reagimin e djeshëm, Policia nuk e saktëson se kush ka qëlluar me armë në reagimin e saj, por burime të Report Tv bënë me dije se në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol. Ndërkohë projekti zhvillimor kalon në tokën për të cilën u bë sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës dhe kjo ka çuar në përplasje të ashpër. Personat që duan të ndërtojnë molin janë përfshirë në sherr në mbrojtje të rojës duke qëlluar me armë zjarri në ajër.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh konflikt në këtë zonë mbi këtë çështje, ndërsa policia thotë se kallëzimet janë kryer në prokurori prej disa vitesh. Këta persona janë shoqëruar disa herë. Njësia administrative, prokuroria, bashkia Durrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes se Territorit dhe policia kanë qenë në dijeni të situatës konfliktuale, por deri me tani nuk ka pasur asnjë vendim në lidhje me dokumentacionin.

  1. Bajram Kaculi
  2. Erjon Reka
  3. Orgito Reka
  4. Ylli Reka
  5. Mark Frroku
  6. Antonio Lazari
  7. Pal Doda
  8. Martin Lazeri

 

Fraksion.com