Çuçi për situatën në Kuvend: Skenari i opozitës i përgatitur
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi për mediet pas mbylljes së seancës së sotme plenare të Kuvendit, se opozita kishte ardhur e përgatitur me një skenar sot.
Çuçi u shpreh se puna në Parlament dhe seancat do të vijojnë, pavarësisht veprimeve të fundit të opozitës.
“Sot besoj se ju dhe gjithë shqiptarët ishit dëshmitarë të një skene aspak të pranueshme. Qoftë edhe për një vend si Shqipëria që ka pasur një periudhë të gjatë tranzicioni, por që sot është një shtet demokratik, që po konsolidohet përditë, është vendi anëtar i NATOS-s dhe ka hapur negociatat me BE-në. Ju e patë të gjithë, se çfarë skenari kishin përgatitur kolegët e opozitës, e them me siguri që ishte skenar, sepse sot ishte seanca ku ne i drejtohemi qytetarëve, ku shprehim të gjitha shqetësimet që marrim nga komunitetit në zonat tona në kuadër të “Javës së Gjelbër” dhe asnjë nga grupi opozitar që krijoj dhe atë skenë të papranueshme në seancën plenare, nuk ishin regjistruar më përpara për të folur. Pra ishin përgatitur për këtë skenar”, tha Çuçi.
Megjithatë, ai u shpreh se seancat në vijim do të zhvillohen në kushte krejtësisht normale, duke theksuar se do të miratohen të gjithë projektligjet në të mirë të shqiptarëve.
“Kjo është e qartë, skenari i tyre për të prishur me çdo formë seancat solemne, sepse të tilla janë seancat plenare. Por ju garantoj se kjo gjë nuk do të ndodhë. Parlamenti do të vazhdojë normalisht, ne do të vazhdojmë të merremi me shqyrtimin e të gjitha projektligjeve që janë në mirën e avancimit në rrugë e BE-së dhe të mirën e të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Çuçi.
Gjithashtu, kreu i grupit parlamentar të PS-së hodhi poshtë akuzat e deputetit Bardhi, i cili është shprehur se mazhoranca ka rrëzuar 8 Komisione hetimore pa dhënë asnjë shpjegim.
Çuçi tha se “për Komisionet hetimore është e drejtë e opozitës që të ngrihen, por dhe sipas Gjykatës Kushtetuese nuk duhet abuzuar me këtë të drejtë. Dëgjova dhe kolegun Bardhi që tha se nuk na kanë dhënë shpjegime. Nuk është e vërtetë. Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë, kemi dhënë argumentet tona. Diskutimet ishin shteruese”.
Fraksion.com