AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Dhërmi: Infrastrukturë e kompletuar në sezonin e ardhshëm turistik

Sezoni turistik i këtij viti shënoi një prej sukseseve më të mëdha në industrinë e turizmit ndër vite, duke rritur ambicien që e ardhmja të jetë edhe më premtuese. Përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturave të zonave bregdetare, në mënyrë të veçantë të perlave të jugut, është një nga prioritetet e vizionit të qeverisë për zhvillimin e zonave me potencial të madh turistik.

Dhërmiu është ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama gjatë inspektimit të sotëm në terren.

Aktualisht dhe në vijim, në të gjithë bregdetin e kësaj zone do të ndërmerren masa të domosdoshme për parapërgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik, duke filluar nga sistemimi e pastrimi i hapësirave për të ruajtur estetikën e vijës së bregdetit, në mënyrë që të jetë destinacioni i padiskutueshëm i pushuesve në një tjetër vit të suksesshëm për industrinë e turizmit në vend.

“Praktikisht sado që është ndërtuar, prapë është i gjithi brezi në rikualifikim. Ne mund të bëjmë një projekt rikualifikimi të ndarjes së hapësirave private me gjithë pjesën publike. Mund të konceptojmë 2-3 modele që të jenë të harmonizuara dhe nëpërmjet bashkisë  ju jepet pronarëve që t’i ribëjnë me 2-3 modele që janë të miratuara”, – u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë inspektimit.

Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi se në sezonin e ardhshëm turistik gjithçka duhet të jetë e kompletuar nga pikëpamja e infrastrukturës.

“Duhet filluar nga sistemimi e pastrimi i hapësirave për të ruajtur estetikën e vijës së bregdetit, që do të jetë destinacioni i padiskutueshëm i pushuesve në një tjetër vit të suksesshëm për industrinë e turizmit në vend”, tha Rama.

 

Fraksion.com