Përfundon takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, nuk japin asnjë deklaratë para gazetarëve!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.
Kurti dhe Vuçiç nuk dhanë asnjë deklaratë para gazetarëve. Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se “asgjë nuk përjashtohet”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Fraksion.com