AktualitetTë fundit

Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim dosjen e Fredi Belerit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare çështjen “Beleri”. Vendimi është marrë më 23 tetor në mbledhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Beleri kërkon shfuqizim e vendimit që e lë atë në paraburgim.

Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28.09.2023 është paraqitur dhe regjistruar me nr. 2 (Dh) 2023 regjistri themeltar, datë 28.09.2023 kërkesa me kërkues Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: “Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 23.10.2023, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve”, thuhet në njoftim.

SPAK-u e ka ngarkuar Belerin me veprën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Fredi Beleri ka premtuar 50 euro për çdo person që do të votonte për të.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim, ndërkohë që Beleri ka kërkuar 6 herë zëvendësimin e masës së arrestit me burg me një masë më të lehtë, por kërkesa është refuzuar nga gjykata.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

 

Fraksion.com