SPAK bllokoi një pasuri të bashkëshortit, Xhaçka – Berishës: Një kusar me damkë dhe shpifës me nam s’mund të bëjë moral
Ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratave se SPAK ka sekuestruar pronën e bashkëshortit të saj në jug, duke e cilësuar ish-kryeministrin Sali Berisha si “kusar me damkë dhe shpifës” që s’mund t’i bëjë kujt moral.
Ajo u shpreh se bashkëshorti i saj nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë.
Xhaçka shtoi se SPAK duhet të bëjë punën e vetë i pandikuar, ndërsa Berisha “le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”.
I pyetur gjatë një konference me gazetarët nëse e vlerëson vendimin e gjykatës për sekuestrimin e truallit të bashkëshortit të Ministres Olta Xhaçka, Berisha u shpreh se rasti i këtij të fundit nuk mund të krahasohet me Jamarbër Malltezin që sipas tij ka marrë tokën e vetë pas 50 vitesh.
Kujtojmë se në kuadër të hetimit të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, SPAK ka vendosur që të ngrijë pasurinë truall prej 5512 metër katror të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Xhaçka, aty ku po ndërton vila luksoze si investitor strategjik.
Reagimi i plotë:
Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral.
Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë.
SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!
Fraksion.com