AktualitetRajoniTë fundit

Presidenti i Malit të Zi, Milatoviç: Anëtarësimi ynë në BE deri në 2028. Brenda vitit, zgjidhim problemet në gjyqësor

Ndërsa anëtarësimi në BE i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës kushtëzohet nga vende anëtare të unionit, fqinji ynë verior Mali i Zi duket se po shkon më shpejt drejt bllokut evropian. Të paktën ky është opinioni i presidentit të sapo zgjedhur, Jakov Milatoviç, i cili në një intervistë për median britanike ‘The Guardian’ deklaroi se Podgorica do t’i bashkohet Bashkimit Evropian për 5 vite.

‘Forcimi i shtetit ligjor në Mal të Zi do të jetë një sinjal i rëndësishëm se vendi po përparon. Jemi optimistë se brenda 2028 do të jemi anëtarë të plotë në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi ynë do të tregonte edhe përkushtimin e BE-së”, tha presidenti Milatoviç.

Kreu i shtetit malazez theksoi edhe se orientimi pro-perëndimor i vendit nuk do të ndryshojë edhe pse kryeministri, njëherazi aleat i Milatoviç u detyrua të bëjë aleancë me një parti pro-serbe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare në verë.

Ai premtoi përputhje 100 % me politikën e jashtme të BE-së dhe aktivizim më të madh në NATO. Në një intervistë për prestigjiozen britanike, 36-vjeçari tha se emërimet në gjyqësor do të bëhen brenda vitit 2023.

“Nën udhëheqjen time, ka zero tolerancë për korrupsionin dhe shumica e re parlamentare do t’i bëjë emërimet në gjyqësor deri në fund të vitit”, tha Milatoviç.

Shteti fqinj prej 619 mijë banorësh aplikoi për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2008, dy vjet pas fitimit të pavarësisë nga Serbia, por përparimi është ngecur nga shqetësimet për korrupsion dhe paqëndrueshmëri politike.

 

Fraksion.com