AktualitetPolitikëTë fundit

Ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të PD, Rithemelimi njihet si palë e tretë në gjyq, përfaqësuesit e Bashës kundër: Berishës i ka mbaruar tagri

Gjykata Civile ka legjitimuar si palë të tretë, Rithemelimin, në procesin gjyqësor për regjistrimin e ndryshimeve statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti.

Palë në proces u legjitimuan përfaqësuesit e Berishës, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.

Duke iu referuar informacioneve të siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, me qëndrimet e palëve në gjyq, mësohet se përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi ka sjellë argumente kundër.

Ai ka deklaruar gjatë seancës se është sjellë një letër autorizimi me firmën e Sali Berishës, ndërsa shtoi se përfaqësimin nuk mund ta bëjë Rithemelimi në gjyq pasi sipas tij i ka mbaruar tagri.

 

 

Sipas tij ka një autorizim që firmoset nga 29 anëtarë, ndërsa ka pyetur se cili është akti provues me të cilin provohet se kush është pala e autorizimit. Ai u shpreh se nevojitet akti me të cilin ky komision është themeluar.

Pas njohjes së tyre si palë në proces, Çlirim Gjata kërkoi pezullimin e seancës gjyqësore deri sa Gjykata e Lartë të shprehet për rekursin që përfaqësuesit e Berishës kanë depozituar për çështjen e logos dhe të vulës, ku Apeli i Përgjithshëm e ktheu në shkallë te parë.

“Kërkojmë pezullimin e procesit derisa Gjykata e Lartë të shprehet për rekursin që Rithemelimi ka depozituar për vendimin e 3-marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës.”, theksoi Gjata. Mes të tjerash ai shtoi se “një vendim i Gjykatës Civile për regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, do të mbivendoste dy vendime të ndryshme.”.

Gjata më herët është shprehur se pala e tij është thirrur si palë e tretë, me emrin Partia Demokratike e Komisionit të Rithemelimit.

Ai u shpreh se pala e tij ka ardhur për t’iu përgjigjur gjykatës dhe ka sjellë autorizim nga komisioni me kërkesë të gjykatës.

Gjata deklaroi se dhënia e autorizimit është problem politik i brendshëm i një partie dhe nuk ka lidhje me gjyqin e sotëm, ndërsa shtoi se kush është Komisioni i Rithemelimit është vendosur nga Kuvendi i 11 dhjetorit me urdhër të gjyqtarit Agron Zhukri.

Sa i përket pretendimit për personalitetin juridik, Gjyqtari Niko Rrapi tha se gjykata është shprehur edhe më parë për thirrje të palës së tretë, (Rithemelimit dhe Bardhit).

Pas diskutimeve dhe mendimeve ndryshe të palëve seanca e radhës është vendosur të mbahet në datën 1 nëntor, ora 13:00.

 

Fraksion.com