Kurti para takimit në Bruksel: S’ka dialog pa u sanksionuar Serbia
Një ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se “padyshim se nuk do të ketë dialog” nëse Serbia nuk dënohet dhe sanksionohet për “farë ka bërë”, duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojnë në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian.
Atje, ata pritet t’i takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Duke folur për Financial Times të martën para këtij udhëtimi, Kurti tha se “do të përfundojmë me një menaxhim të dështuar të krizës dhe do ta harrojmë plotësisht normalizimin” e marrëdhënieve, nëse Serbia nuk sanksionet.
Ata u ftuan në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kërkuan Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit gjatë një vizite në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor.
Kurti, po ashtu, i akuzoi sulmuesit e Policisë së Kosovës gjatë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, se u përpoqën “ta nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit”.
Kosova e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se tentoi aneksimin e veriut të vendit, gjë që është mohuar nga Beogradi.
Kryeministri kosovar theksoi se pas sulmit të muajit të kaluar “çdo gjë ka ndryshuar. Ne nuk mund të vazhdojmë normalisht.”
Ai i bëri thirrje përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të mos “e cilësojë më Serbinë si forcë mbinatyrore, një lloj ariu të paarsyeshëm të cilin duhet ta ushqejmë me qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është përforcuar me qindra trupa dhe pajisje të rënda shtesë.
Derisa Kurti e ka mirëpritur këtë, ai e ka kundërshtuar angazhimin më aktiv të kësaj force në territorin e Kosovës.
“Ata janë të nevojshëm për siguri dhe mbrojtje.. dhe kështu do të mbetet. Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë KFOR-in reagues të parë”.
Në Kosovë, KFOR-i është reaguesi i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it./rel
Fraksion.com