Kallëzimi në SPAK ndaj gjyqtares Gjoka, GJKKO shtyn për të nesërmen gjyqin ndaj ish-kryeministrit
Është kthyer në shah juridik seanca ndaj Sali Berishës, i dyshuar nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin Jamarbër Malktezi.
Sidoqoftë ata kishin në çantë prokurë të përgjithshme dhe jo të posaçme, që do të thotë se mbrojtja përfaqëson interesat e ish-kryeministrit, por pa specifikuar orën dhe datën konkrete të gjyqit. Kjo prokurë do të thotë se jo vetëm mediatikisht por edhe ligjërisht, Sali Berisha nuk heq dorë nga këmbëngulja për të mos marrë dijeni nga vendimi i të shtunës ku ju dha në mungesë masa “detyrim paraqitje”.
Gjatë seancës, pasi avokatët u legjitimuan për ta përfaqësuar, Irena Gjoka ju la kohë deri në orën 18:00 që të njihen me fashikujt e SPAK. Ata studiuan vetëm pak orë shkresat, dhe më pas kryen lëvizjen surprizë.
Një kallëzim i përcjellë me anë të postës dhe i mbërritur në SPAK denoncoi gjyqtaren Gjoka për shpërdorim me pretendimin se masa e sigurisë ishte shpallur në shkelje, përderisa u anashkalua Këshilli i Mandateve për një masë sigurie ndaj një deputeti, siç është aktualisht Sali Berisha. Avokatët thanë se e lanë seancën përgjysmë pasi kërkuan dorëheqjen e gjyqtares, që nga ana e gjykatës përgënjeshtrohet duke thënë se kërkesa nuk kishte mbërritur ende në sekretari. Gjykata njoftoi se e shtyu seancën derisa avokatët të njihen me aktet.
Të gjitha këto ndodhën jashtë orarit zyrtar dhe në një situatë të pazakontë, ku secila nga palët kuptueshëm po lëviz ngadalë.
Nuk mund të thuhet ende nëse mungesa e Sali Berishës për tu njohur me masën e ka futur drejtësinë në një lojë procedurale, ku as SPAK as gjykata nuk po gjejnë instrument për ta zgjidhur. E sigurt është që të mërkurën sërish do të ketë seancë dhe sërish Berisha duhet të njoftohet./TCH
Fraksion.com
Fraksion.com