AktualitetPolitikëTë fundit

Ç’ndodhi sot në GJKKO? Nga braktisja e seancën prej mbrojtjes së Berishës, te ‘dorëzimi’ i çështjes tek avokati i caktuar nga shteti

Këtë të mërkurë, në ora 14:30 u caktua zhvillimi i seancës gjyqësore në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit, siç kishte njoftuar edhe më parë, nuk është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për t’u marrë në pyetje lidhur me hetimin për Privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, pasi sipas tij, është duke respektuar Kushtetutën.

Ndërkohë në seancë u paraqitën dy përfaqësuesit e tij ligjor, avokat Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Gjatë seancës, këta të fundit janë drejtuar me disa kërkesa, mes të cilave atë për shqyrtim të çështjes nga Gjykata kushtetuese. Pasi kjo kërkesë është rrëzuar nga GJKKO, dy avokatët e Sali Berishës kanë zgjedhur që të braktisin seancën.

Ndërkohë më pas GJKKO ka kërkuar që Berisha të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti. Sipas reagimit që ka bërë vetë GJKKO, bëhet me dije se avokat u caktua Artan Simoni. Pas kësaj lëvizjeje, e cila është e para që ndodh për një zyrtar apo ish-zyrtar të lartë, seanca në GJKKO është shtyrë më dy orë, në mënyrë që Simoni të njihet me dosjen.

 

Fraksion.com