Vriten gjashtë punëtorë të agjencisë së OKB-së për refugjatët në Gazë
Gjatë punëtorë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, njoftoi të martën Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA).
Në përgjithësi, 35 anëtarë të kësaj agjencie janë vrarë qe nga 7 tetori kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Punëtorët humanitarë nuk janë kursyer nga bombardimet e pareshtura izraelite në dy javët e fundit në Gazë, të cilat Ushtria izraelite po i kryen pasi grupi militant Hamas e kreu njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë 75-vjeçare të Izraelit.
“Që nga fillimi i luftimeve, së paku 16 punëtorë shëndetësorë janë vrarë në detyrë, bashkë me 35 anëtarë të stafit të UNRWA”, tha OCHA në një komunikatë për media.
“Gjashtë prej tyre u vranë vetëm në 24 orët e fundit”, tha ajo.
UNRWA mbështet 5.6 milionë refugjatë palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimorë dhe Jerusalemin Lindor, si dhe në Jordani, Liban dhe Siri.
Më shumë se 5.000 njerëz janë vrarë nga bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Izraeli është duke kryer sulme ajrore si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në qytetet jugore izraelite më 7 tetor, si pasojë e të cilave u vranë më shumë se 1.400 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.
Ushtria e Izraelit, e cila thotë se Hamasi po i mban 222 pengje, është duke u përgatitur për një pushtim tokësor të Gazës së mbipopulluar me palestinezë.
UNRWA i nderoi punëtorët e vet të vrarë në Gazë qe nga 7 tetori përmes një postimi në rrjetin social X.
“Ne jemi të pikëlluar dhe i kujtojmë ata. Ata nuk janë vetëm numër. Ata janë miqtë dhe kolegët tanë”, shkroi UNRWA.
Gati 590.000 njerëz – pothuajse gjysma e 1.4 milion njerëzve që janë zhvendosur brenda Rripit të Gazës që nga fillimi i bombardimeve – janë strehuar në ndërtesat e UNRWA, sipas OCHA-s./rel
Fraksion.com