Sigurim i jetës për punonjësit e Policisë Ushtarake, kategoritë që përfitojnë
Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Vendimi i qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon kategoritë e personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë sigurim jete, të cilët janë punonjësit e strukturave të mëposhtme: a) Sektori i Policisë Kriminale; b) Inspektorati i Qarkullimit Rrugor; c) Seksioni i Rendit Ushtarak; ç) Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin; d) Toga e Ruajtjes dhe Sigurisë së Personaliteteve në Kompaninë Operacionale të Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Veçanta.
Sigurimi i jetës bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e: a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj; b) zhdukjes për shkak të detyrës; c) paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; ç) paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private jashtë shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike brenda vendit.
Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se: a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës a zhdukjes së personit; b) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit të rëndë fizik; c) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit të lehtë fizik; ç) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës.
Tarifa e primit të sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit, por nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 %.
Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Vendimi nr. 904, datë 11.11.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kategorive të përfituesve, të masave e të kritereve për sigurimin e jetës së punonjësit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Fraksion.com