AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Osmani në OKB: Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj në seancën e mbajtur një ditë më parë (23 tetor) të Këshillit të Sigurimit në OKB, është ndalur në çështjen kryesore që përshkallëzoi tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Më 24 shtator qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për vrasjen e policit. Kosova ishte cak i agresionit nga Serbia. Dua ta shfrytëzoj momentin për ta nderuar heroin Afrim Bunjaku që humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Pushoftë në paqe dhe ta na shërbej të gjithëve si kujtim.  Pas 24 shtatorit çdo gjë ka ndryshuar, nga njëra anë zotimi i Kosovës për ta mbrojtur integritetin mbetet i pandryshueshëm. Vendimi i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën po shihet. Serbia priste që Kosova të bëhej si Krime, por u zu në befasi. Kosova vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për ti ndaluar këto. Serbia zgjat përpjekjet që ta shndërrojë agresionin në viktime, faktet janë të pamohueshme”, theksoi ajo.

Presidentja u shpreh se “grupet terroriste janë trajnuar e furnizuar nga Serbia. Financimi i organizatave “mbrojtja civile” dhe “brigada veriore” kanë ardh nga Serbia,  u jepen paga mujore. Janë të paguara nga Serbia për t’i sulmuar serbët e Kosovës. Siç tregojnë hetimet ka pasur trajnime te këtyre grupeve në Serbi”.

“Armët qe i kemi konfiskuar, shumica armë ushtarake që prodhohen në Serbi. Radojiçiq që ka pranuar sulmin e 24 shtatorit, ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më te afërt të Vuciq, ulet afër Vuciq, endet i lire përkundër pranimit. Serbia shpalli ditë zie për ata te vranë zyrtarin tonë policor. Të bëhet diçka e qarte, nuk është lojë e fajit, s’ka qene vetëm sulm ndaj Kosovës, por përpjekje për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Të jemi të gjithë së bashku”, tha Osmani.

Presidentja ka adresuar gjatë fjalës së saj, disa kërkesa ndaj OKB-së, një prej të cilave, marrjen e masave ndaj Serbisë.

“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist. Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani.

Ndërsa shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh kërkoi vënien para drejtësisë, të përgjegjësve të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

Ziadeh theksoi se ngjarja ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe tre nga agresorët, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë bëri thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut, zbatimin e masave për shtensionimin e situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

 

Fraksion.com