AktualitetTë fundit

Dosja e SPAK/ “5.4 milionë euro për t’i kthyer Abit”, dividentët që ‘kryqëzojnë’ Jamarbër Malltezin

Pallatet e kompleksit “Magnet” nuk kanë lënë asnjë gjurmë nga terrenet sportive të ish-kompleksit “Partizani”. Ajo është shndërruar në një prej lagjeve më të shtrenjta të Tiranës sot. Sipas dosjes së SPAK, nga ndërtimi i këtij kompleksi dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha investoi vetëm 45 mijë euro, por në fund përfitoi 5.4 milionë euro.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezit kishte prokurë nga familjet pronare të truallit, për negocimin e kontratave të shkëmbimit, kontratat me firmat e ndërtimit për ngritjen e kullave. Në dosje vihet në dukje fakti se “i vetmi investim” i Jamarbër Malltezit ishin lidhjet e tij që do të bënin të mundur për pronarët kthimin e pronës dhe shfrytëzimin e saj për ndërtim. Me këtë cilësi, Malltezi ka firmosur me pronarët e tokës dhe ka përfituar në finale 5.4 milionë euro.

Sipas dosjes, të siguruar nga BalkanWeb, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se Malltezi investuar vetëm shumën prej 45 128 eurosh. Kjo gjë mbështetet edhe nga deklarimet e vetë shtetasit Fatmir Bektashi i cili, këmbëngul që shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja nuk kanë investuar (duke nënkuptuar investime për ndërtime që është edhe logjika e krijimit të shoqërisë Homeplan)” shkruhet në dokument.

Në dosje evidentohet dhe dividenti që “Homeplan” i ka shlyer Malltezit, apo Abit siç e shkruajnë shkurt. Në një kompjuter të sekuestruar nga hetuesit në studion e kontabilitetit të Andia Pustinës, janë gjetur në exel disa shënime që tregojnë shuma të mëdha parash që i duheshin kaluar Jamarbër Malltezit. “Totali i detyrimit që Homeplan ka ndaj Abit – 5,420,345.02 Euro, nga të cilat i janë paguar 4,258,785.66 Euro; sipërfaqe të marra me shumë 1,250,815 Euro dhe për t’u paguar 89,255.64 Euro.”- shkruhet në materialin e ruajtur me emërtimin “Div. Abi”.

 

Gjithashtu në të njëjtin kompjuter janë gjetur dokumente që vërtetojnë se Jamarbër Malltezi ka marrë 72 mijë euro cash në vitin 2017. Në tabelën e sekuestruar me përshkrimin “Jamarbër Malltezi, Total pagesa për divident 2011 -2022” është shënuar me shkrim dore “72 .000 CASH”. SPAK e akuzon Jamarbër Malltezin për “Pastrimit te produkteve të veprës penale ose veprimtarisë” duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 5. 420 345 euro ndërsa kishte investuar vetëm 45 mijë euro.
Fraksion.com