AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: I gatshëm të paraqitem në GJKKO, por jo të shkel Kushtetutën

Gjykata e ka thirrur në seancë për privatizimin e ish-Kompleksit Partizani, por ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh sot për mediet se është i gatshëm të paraqitet në GJKKO, por shtoi ai, “nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit”.

I pyetur nëse do të jetë në seancën e sotme në GJKKO, Berisha tha se, “jam i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje, por kurrë për vendime antikushtetuese. Nuk e bëj absolutisht për vete, sepse unë siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin, i cili vendoste barazinë e plotë midis çdo zyrtari dhe qytetarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Edi Rama. Jam gati ta votoj nesër. Jam gati pa asnjë hezitim. Por përse ky ligj është në Kushtetutën e vendit, unë nuk mund të pranoj dot asnjë lloj kompromisi për shkeljen e tij. Përkundrazi po konsultohem me juristë dhe të tjerë, që të ndërmarr të gjithë hapat e tjerë në mbrojtje të Kushtetutës”.

“Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit”, tha Berisha.

“Të ndryshojmë Kushtetutën e vendit, jam autori i ligjit, që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë. Nuk duhet të ekzistojë, duhet të jenë të gjithë të barabartë. Hajde atëherë të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën. Për atë nuk jam dakord”, theksoi Berisha.

“Sa kureshtje keni ju, unë besoj se me këto që u përgjigjem, jam korrekt fare. Pra, piramida e trillimit, e mashtrimit dhe e falsifikimit do të shembet. Dhe ju garantoj ju siç ka ndodhur, e bazuar gjithçka në falsifikim, fshehje dokumentesh dhe mashtrime. Kurse, nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, hetimor, etj. E vetmja gjë, kjo është totalisht një formalitet, por një formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit dhe unë nuk mund ta shkel”, tha ai.

 

Fraksion.com