AktualitetPolitikëTë fundit

“Java e Kombeve të Bashkuara”, Rama: Shqipëria mikpret botën

Në kuadër të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës Shqipëria mikpret Javën e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj jave.
“Shqipëria mikpret botën”, u shpreh kryeministri, ndërsa informoi se Java e Kombeve të Bashkuara vjen me ekspozita, koncerte, festa lokale, ceremoni çmimesh, panaire e takime mbi shoqërinë, barazinë gjinore, mjedisin, paqen dhe ngritjen e së ardhmes duke mësuar nga e shkuara.
Në kuadër të kësaj jave në të gjithë vendin do të organizohen aktivitete të ndryshme, me qëllimin për të shfaqur e promovuar një gamë të gjerë ndërhyrjesh të kryera nga agjencitë dhe programet e OKB-së në Shqipëri në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, donatorët, grupet e interesit dhe publikun.
Aktivitetet do të synojnë të adresojnë çështje kyçe që ndikojnë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe zotimeve të lidhura me to.
Dita e OKB-së në 24 tetor është momenti kryesor i Javës së OKB-së në Shqipëri 2023.
Aktivitete të shumta do të zhvillohen në sheshin Skënderbej për të shënuar Ditën e OKB-së, për të treguar mbi rrugëtimin e marrëdhënies OKB-Shqipëri përmes një mini ekspozite; për të treguar mbi punën e sistemit të OKB-së në Shqipëri përgjatë 4 objektivave të Marrëveshjes Kuadër për arritjen e Zhvillimit të Qëndrueshëm mes OKB dhe Shqipërisë (UNSDCF 2022-26) dhe më shumë.
Ndërkohë dita përmbyllëse e Javës së OKB-së 2023 do të zhvillohet në Shkodër. Ky qytet me histori të pasur e plot me kulturë do të jetë mikpritësi për një ditë të mbushur me aktivitete interesante e informuese. Aktivitetet do të zhvillohen në sheshin përpara Bashkisë Shkodër.

Fraksion.com