AktualitetPolitikëTë fundit

“Detyrim paraqitje” për Berishën, “Zero imunitet për deputetët!”, Bardhi: Kufizimi i lirisë së ish-kryeministrit, shkelje e rëndë, dyshime te SPAK

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për herë të parë lidhur me akuzimin e SPAK për korrupsion ndaj Sali Berishës.

Teksa shprehet se është në mbështetje të Reformës në Drejtësi, Bardhi u shpreh se SPAK ka shkelur Kushtetutën me vendimin për kufizimin e lirisë së lëvizjes së Berishës, që sipas tij ishte i nxituar.

Reagimi i plotë:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar prej fillimit Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK. Shqiptarët janë dëshmitarë të përpjekjeve dhe betejës tonë për të siguruar një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të pakapur nga pushteti. Kjo për faktin se jo thjesht drejtësia, por drejtësia e pa ndikur nga politika dhe influenca të papërshtatshme, është kusht themelor për luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe kulturës pandëshkueshmërisë.

Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet për parlamentarët. Mirëpo, Kushtetuta e Shqipërisë në rastin e të zgjedhurve ka ofruar disa garanci shtesë, që duhet të sigurohen pa asnjë përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi që kufizon lirinë në çfarëdo lloj forme, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi.

Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK.

Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor.

Presonalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të vecantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ky eshtë edhe një dallim nga Grupi Parlamentar i PS që në të shkuarën kur interesi politik ja ka dashur ka penguar Prokurorinë të veprojë. Mirëpo, nëse shkelja dhe nxitimi i SPAK për të mos respektuar procedurën e detyrueshme të kërkuar nga Kushtetuta në këtë rast ka patur si qëllim të krijojë perceptimin e rremë të zhvendosjes së betejës së opozitës nga një betejë kundër regjimit të Edi Ramës, në një “betejë” me drejtësinë, dua të sigurojë që ky skenarë do të dështojë!

Ne deputetët e opozitës nuk kemi betejë me drejtësinë.

Edhe kur nuk jemi dakord me aktet apo vendimet e saj, ne nuk kemi betejë me drejtësinë.

Edhe kur shohim sesi koka e inceneratorëve, Edi Rama, që ka miratuar 17 VKM brenda ditës për të favorizuar mafiozët e inceneratorëve, vijon të shëtisë i lirë nga supervila e tij në Surrel për në Kryeministri, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi koka e inceneratorëve, Edi Rama, që ka ndryshuar tre herë ligjin e koncesioneve me propozim të Klodian Zotës për të favorizuar mafiozët e inceneratorëve, vijon të udhëtojë cdo ditë me charter si lider i një shteti të pasur, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim që kokat e sterilizimit, Edi Rama dhe Ilir Beqaj, në vend që të jenë në burg janë në një sallë me Presidentin francez duke nënshkruar marrëveshje në emër të shtetit shqiptarë, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi me një ligj special favorizohet një biznesmen i përzgjedhur personalisht nga Edi Rama për të përfituar rreth 800 mijë m2 pronë publike në Portin e Durrësit dhe nuk ka asnjë veprim nga drejtësia, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi miraton ligjin për investimet strategjike për të favorizuar mikun e tij Artan Gaci dhe bashkëshortin e ministres së tij, dhe merr edhe guxim madje për të moszbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetutese lidhur me mandatin e deputetes Xhacka, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi Olsi Rama, koka e laboratorit të Xibrakës, nuk është në burg por imuniteti i tij si vëllai i Kryeministrit shërben si i vetmi motiv për të promovuar prokurorin e cështjes si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi Arben Ahmetaj lejohet me vetëdije të arratiset nga Shqipëria vetëm pak orë përpara se kërkesa të vijë në Parlament, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Edhe kur shohim sesi bashkëpunëtori i të korruptuarit McGonigal na jep leksione antikorrupsioni, pasi ka favorizuar për llogari të mikut të tij një kompani ruse në koncesionin e fushës së naftës, ne nuk kemi betejë me drejtësinë. Përkundrazi, e kemi inkurajuar dhe mbështetur të bëjë detyrën.

Beteja jonë e vetme është me Edi Ramën. Beteja jonë e vetme është për një Shqipëri më të mirë, me një qeveri në shërbim të qytetarëve dhe një qeveri të pakorruptuar. Beteja e cdo opozitari është me regjimin e Edi Ramës, keqqeverisjen e tij, korrupsionin e qeverisë së tij nga i cili vuajnë cdo ditë qytetarët shqiptarë.

E në këtë drejtim, ndërsa e nxisim drejtesinë të veprojë fuqimisht për interesin e vendit dhe të publikut, e jo për interesat e politikës së ditës, dua të sigurojë qytetarët se beteja e opozitës së bashkuar me keqqeverisjen e Edi Ramës, ka qenë dhe do të jetë e pakompromis, me çdo kosto, me çdo mjet demokratik, derisa Shqipëria ti kthehet normalitetit dhe të meritojë statusin e vendit anëtar të NATO-s dhe vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

 

Fraksion.com