Bardhi për masat ndaj Berishës: Pa autorizim nga Kuvendi, shkelje e rëndë kushtetuese
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi doli në një konferencë për shtyp ku reagoi për herë të parë për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar prej fillimit Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK. Shqiptarët janë dëshmitarë të përpjekjeve dhe betejës tonë për të siguruar një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të pakapur nga pushteti. Kjo për faktin se jo thjesht drejtësia, por drejtësia e pa ndikuar nga politika dhe influenca të papërshtatshme, është kusht themelor për luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe kulturës pandëshkueshmërisë.
Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet për parlamentarët. Mirëpo, Kushtetuta e Shqipërisë në rastin e të zgjedhurve ka ofruar disa garanci shtesë, që duhet të sigurohen pa asnjë përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi që kufizon lirinë në çfarëdo lloj forme, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi.
Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK.
Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor”, tha Bardhi.
Fraksion.com