AktualitetPolitikëTë fundit

Nikolla tek “Vatra” në New York: Keni qenë një mbështetje e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në të gjitha momentet kyçe

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla,u takua sot me përfaqësues të Federatës Panshqiptare “Vatra” në selinë e saj, në Bronx, New York.

Kryetarja Nikolla shprehu respektin dhe vlerësimin për kontributin e Federatës “Vatra”, organizatës së Diasporës shqiptare më jetëgjatë dhe e cila ka një moshë me shtetin shqiptar.

““Vatra” ka qenë një mbështetje e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në të gjitha momentet kyçe të historisë: për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit të ri të pavarur shqiptar; gjatë dy luftrave botërore; për rezistencën ndaj rregjimit totalitar komunist; mbështetjen e tranzicionit drejt demokracisë; lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Dhe e tillë do të mbetet”, theksoi Nikolla.

Më tej, Nikolla i njohu të pranishmit me disa nga aspektet e veprimtarisë së Kuvendit për bashkëpunimin me Diasporën dhe pjesëmarrjen e saj në zhvillimet ekonomike e politike në Shqipëri.

Kryetari i Federatës Panshqiptare, Elmi Berisha, dhe përfaqësues të organizatës, shprehën vullnetin për të bashkëpunuar për të zgjeruar mundësitë e kontributit të Diasporës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Fraksion.com