“Sot kemi përmbyllur një amanet”, Rama në Universitetin e Arteve: Monument kulture i rikthyer në të gjithë përmasën e vet!
Në Universitetin e Arteve çeli dyert mbrëmjen e djeshme salla e re e Teatrit për studentët, artistët dhe dashamirësit e artit, pas zbatimit të suksesshëm të projektit për rikonstruksionin e saj.
Ky rikonstruksion u bë i mundur falë bashkëpunimit të frytshëm dhe ekspertizës me specialistë nga Universiteti i Firences, përfaqësues të Kooperacionit Italian, TAP, Universitetit të Arteve dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe ish-student e më pas ish-pedagog i Akademisë së Arteve mori pjesë në ceremoninë e dedikuar, teksa u shpreh se është përmbushur më së miri amaneti i historisë së kësaj salle, monument kulture, prej nga, shumë talente shqiptare u ngjitën në majat e artit botëror.
“Më vjen shumë mirë që ne sot e kemi përmbyllur një amanet do thosha dhe për hir të së vërtetës kjo punë jo shumë e lehtë që është bërë këtu, sepse nuk është një sallë e re, nuk është as një sallë e vjetër e zakonshme, që është rikonstruktuar, por është një monument kulture për të cilin është dashur të bëhet një qëmtim shumë i imët në arkiva dhe pastaj është dashur të bëhet një punë shumë e kujdesshme për ta rikthyer në të gjithë përmasën e vet, ashtu si duhet”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “është në një kuptim të drejtpërdrejtë amaneti i historisë së kësaj salle, por i parë pak më ndryshe. Jo si një histori që ka përfunduar, por si një histori që vazhdon dhe jo si një histori emrash, por si historia e një hapësire që ka qenë qysh në krye të herës hapësira e pasionit, hapësira e ëndrrave, hapësira e dëshirave të patregueshme për nga forca e tyre, hapësira e takimeve mes atyre që e zotëronin skenën dhe atyre që ëndërronin ta zotëronin skenën dhe hapësira e një vendi që brenda këtyre përmasave shumë modeste, i jepte në mënyrë të vazhdueshme përmes tingujve, përmes fjalëve, përmes kërcimit, përmes pjesëve të vëna në skenë apo vetë atyre që ngjiteshin në skenë jo për të luajtur teatër, por për të folur me të tjerët mesazhin e të ardhmes, mesazhin e shpresës tek e reja, mesazhin e forcës për të tejkaluar muret dhe për të tejkaluar edhe shumë e shumë pengesa për të cilat unë nuk do të flas sot. Nuk do të flas sot për të shkuarën”.
Dua vetëm të them, vijoi Rama, që sot kjo sallë i vihet në dispozicion atyre që kanë misionin t’u përcjellin të tjerëve eksperiencën e tyre dhe atyre që vijnë, me misionin që të krijojnë eksperiencën e re dhe të gjithë së bashku të vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të fuqizojnë pasionin e këtij vendi, pasionin krijues, pasionin interpretues, pasionin komunikues.
“Kjo sallë sot plotëson edhe një nevojë të shumë e shumë viteve, për të qenë edhe vetë, po aq rrezatuese dhe po aq mbresëlënëse sa të gjitha ato talente që nga kjo sallë u ngjitën në majat e botës, që e nisën nga kjo sallë për të mahnitur miliona spektatorë nëpër botë. Prandaj me një shprehje mirënjohjeje për gjithçka unë personalisht mora nga energjia e kësaj salle që pastaj shpërndahet përmes atyre që hyjnë tek shumë të tjerë që i takojnë ata që dalin dhe me kënaqësinë që mu dha mundësia që t’i kthej këtij vendi, që është një vend i shpresës dhe i ëndrrave, shumë pak, por sidoqoftë diçka nga aq shumë sa ai vend më dha”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “ju uroj me gjithë zemër gjithë të mirat të gjithë atyre që sot janë këtu dhe të gjithë atyre që njësoj si këta janë në këtë oaz të shpresës dhe të pasionit, në mënyrë që çdo ditë e më shumë, çdo vit e më shumë, çdo dekadë e më shumë në të gjitha kohërat e reja, Shqipëria të vazhdojë të jetë gjithnjë krenare sa herë që të bëhet fjalë për njerëz që janë ngjitur në këtë skenë apo që kanë pasur lidhje me këtë sallë apo me këtë vend të shenjtë të shpresës dhe të pasionit”.
Në skenën e sallës së re të Teatrit në Universitetin e Arteve u ngjitën artistë të njohur si Timo Flloko, Luiza Xhuvani, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica, etj.
Aktori Timo Flloko tha se “në këtë skenë dhe vetëm këtu, askund më parë startoi demokracia”.
Salla e re në Universitetin e Arteve, jo vetëm t’i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe kërkesave të artistëve, por nga ana tjetër, të ruhet i paprekur projekti fillestar i saj, një stoli e arkitekturës e viteve ’30-’40”, kur ajo është ndërtuar.
Godina e Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”.
Teatri i Universitetit të Arteve përmbylli projektin e restaurimit të thellë dhe kthimit në identitet të krejt pjesës së korpusit të klasifikuar si monument i trashëgimisë kulturore, ku është punuar disa vjet bazuar në materialet arkivore, në bashkëpunim me restauratorët e Universitetit të Firences, e ku salla e teatrit ishte pjesa më e çmuar e më sfiduese për ekipet e përfshira në projekt.
Fraksion.com