Berisha: Rama urdhëroi prokurorët e tij mercenarë të lëshojnë një urdhër në kundërshtimi me Kushtetutën
Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se prokurorët mercenarë u urdhëruan nga kryeministri Edi Rama të lëshojnë një urdhër në kundërshtimi me Kushtetutën për arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi si dhe atë për detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit për vet Berishën.
“Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike! Ai, i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, afera e sterilizatorëve, afera e Portit të Durrësit, afera e Butrintit”, u shpreh Berisha në një konferencë për shtyp të thirrur mbrëmjen vonë pas arrestimit të Malltezit.
Berisha u shpreh se “Rama, pasi ka humbur mandatin e deputetit, siç thotë Kushtetuta, me tenderat që ka fituar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, thjeshtra e tij me emrin Xhillari në kompaninë “I Riu”, me tenderat që ka fituar Fangu apo burri i motrës së Linda Ramës, me implikimet e kësaj të fundit në bordet e bankave, de facto në përputhje me Kushtetutën, ai nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.
“Edi Rama, pasi ka grabitur në mënyrë suksesive votën e shqiptarëve dhe eliminoi pluralizmin politik në parlament, pasi u damkos nga qytetarët e Kosovës si vëllau i Vuçiçit, nga opozita si argat i Beogradit, nga bota si Pashiqi shqiptar, dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim dje në parlamentin e Shqipërisë, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë, të denoncuar publikisht në këtë sallë, për fshehje dokumentesh, për manipulim dosjesh, për bashkëpunim me krimin dhe bandat, për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë, lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit”, deklaroi Berisha.
Por, vuri në dukje Berisha, “duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën”.
“Pra, as kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësit, të cilët sot ndjehen më Sali Berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur në Europë, nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve parlamentare”, deklaroi Berisha.
Por, shtoi ai, në vendin ku prokuroria është thjesht një seksion i PS, mund të merret çdo vendim.
“Siç informohem ndaj meje është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe larje parash, kurse dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen, që kthehej nga jashtë”, bëri me dije Berisha.
Gjithashtu, ai foli edhe për arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, duke theksuat se nuk është thirrur në jetën e tij nga asnjë prokuror apo asnjë gjykatës për asnjë çështje.
“Prej tre vitesh, me padi të rreme të ngritura nga Taulant Balla, SKAP-i i partisë ka hetuar privatizimin e klubit Partizani. Pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme, nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori, por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur të oborrit qeveritar për gjoja abuzime. Klubi i Partizanit nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës dhe as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit” , tha Berisha.
Ai shoi se destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës.
“Njohja dhe kthimi te pronarët e ligjshëm të pronarëve të klubit Partizani, janë gjashtë familje dhe 64 anëtarë, është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe gjykatat nga vitit 1994 deri në vitin 2006. Privatizimi i klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos. Muaj më parë, prokurorja e SKAP-it, simotra biologjike e Taulant Bego Jaris, ka sekuestruar kompjuterat e kompanisë që mbante kontabilitetin e Jamarbër Malltezit dhe ka shkuar në gjykatë duke mashtruar gjykatën. Ao ka deklaruar se kthimi i pronave ka filluar në vitin 2006, në një kohë kur ky është një proces i njohjes, madje i kthimit nga viti 1994-1995. Ajo është përpjekur të krijojë konfuzion dhe gënjeshtra me nënkuptim për sipërfaqen e privatizimit. Shtoj këtu se çdo centimetër dhe metër katror e sipërfaqes së privatizuar, është e firmosur nga 7 firma të bashkisë së Edi Ramës”, shtoi Berisha.
Fraksion. com