Prokurorët rusë kërkojnë paraburgim për gazetaren e REL-it, Alsu Kurmasheva
Prokurorët rusë do t’i kërkojnë një gjykatësi gjatë seancës dëgjimore të 20 tetorit që gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, të dërgohet në paraburgim, raporton Reuters, duke cituar shërbimin për media të gjykatës.
Kurmasheva, që punon për Shërbimin Tatar-Bashkir të REL-it dhe ka pasaportë amerikane dhe ruse, u arrestua më 18 tetor, pasi u akuza se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaja kur hyri në Rusi më 20 maj.
Kurmasheva, që jeton në Pragë së bashku me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e tyre, udhëtoi në maj për në Rusi për shkak të një emergjence familjare.
Fillimisht, ajo u ndalua përkohësisht teksa po priste në aeroportin e Kazanit për t’u kthyer në Pragë më 2 qershor. Autoritetet ruse ia konfiskuan pasaportat amerikane dhe ruse dhe që atëherë ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.
Autoritetet fillimisht e gjobitën gazetaren për dështim të regjistrimit tek autoritetet të pasaportave të saj amerikane dhe ruse dhe më 18 tetor u ngrit akuza e re ndaj saj. Dështimi për t’u regjistruar si agjente e huaj, sipas legjislacionit rus, bart një dënim deri me pesë vjet burgim.
Radio Evropa e Lirë dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kurmashevës.
Që nga viti 2012, Rusia ka përdorur ligjet e ashtuquajtura për agjentë të huaj për të shënjestruar kritikët e politikave qeveritare.
Po ashtu, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës, Moska ka shpeshtuar mbylljen e organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave.
Sipas ligjeve ruse, autoritetet mund t’i cilësojnë organizatat jofitimprurëse si “agjentë të huaj” nëse pranojnë fonde nga jashtë dhe janë të angazhuara në aktivitete politike.
Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane që po mbahet në Rusi, pasi gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u arrestua në mars të këtij viti nën akuza për spiunazh./rel
Fraksion.com