Policët shqiptarë në SHBA dorëzojnë çekun 60 mijë dollarë, për familjen e Afrim Bunjakut!
Policët shqiptarë në SHBA janë solidarizuar dhe janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë sado pak familjes së Afrim Bunjakut, polici i cili humbi jetën pas sulmit terrorist në veri të Kosovës.
Nëpërmjet një fushate shqiptarët që shërbejnë në uniformat e policisë amerikane të inkuadruar në Shoqatën Amerikane Shqiptare e Zbatimit të Ligjit në SHBA, nëpërmjet GoFundMe kanë mbledhur 60 mijë dollarë.
Këto para i janë dorëzuar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Neë York, në praninë e Konsullit të Përgjithshëm, ambasadorit të Kosovës në SHBA Blerim Reka dhe stafit të tij.
“Sot prita Kolonel Gazmend Hoxhen, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të zbatimit të ligjit. Në emër të kësaj shoqate, kryetari i saj Elton Shametaj, i dorëzoi drejtorit Hoxha, çekun për familjen e heroit të vrarë Afrim Bunjaku, gjatë agresionit terrorist kundër Republikës së Kosovës”, shkruan Reka në postimin e tij në “Facebook”.
Kujtojmë që Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës. Nga sulmi humbi jetën dëshmori Afrim Bunjaku si dhe mbetën të plagosur dy të tjerë. Shumë qytetarë, por edhe vetë qeveria i ka afuar ndihmë financiare familjes së Bunjakut.
Fraksion.com