“Përdori gjuhë urrejtje ndaj Fredi Belerit”, Dule akuza Ramës: Po rrëmben pronat në brigjet e Jonit për interesa klienteliste
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, është shprehur se qeveria dhe veçanërisht kryeministri Rama me politikat e tij ka qëllim rrëmbimin e pronës nga pronarët e ligjshëm në brigjet e Jonit dhe përdorimin e tyre në favor të interesave të tij klienteliste.
Dule shtoi se raporti i radhës i Komitetit Këshillimor të KiE për konventën e mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare thekson se duhet të merren masa ndaj gjuhës së urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve.
Ai rikujtoi rastin e përplasjeve në distancë mes kryeministrit Rama dhe Fredi Belerit, i cili garonte për bashkinë Himarë, gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit, duke u shprehur se nuk pati reagim të gjerë lidhur me rastin.
“Jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk kemi një praktikë të tillë dhe nuk garantojmë të drejtën themeltare të përfaqësimit të pakicave kombëtare. Nga ana tjetër raporti thekson me forcë se duhet të merren dhe hartohen politika efikase mbrojtëse sidomos për pakicën kombëtare greke, me qëllim që politikat e zhvillimit të mos u cenojnë atyre kultivimin e kulturës, pronës e të mos kufizohet e drejta për zhvillimin ekonomik.
Një fenomen që e kemi denoncuar në vazhdimësi, sidomos me politikat e qeverisë dhe kryeministrit, që prej vitesh ka qëllim strategjik rrëmbimin e pronës nga pronarët e ligjshëm, sidomos në brigjet e Jonit dhe vendosjen e tyre përmes trukeve në favor të interesave të tij klienteliste.
Nga ana tjetër raporti i kushton vëmendje edhe reformës territoriale të vitit 2014 dhe konstaton se ajo ka cenuar të drejta të pjesëtarëve të pakicave. Qeveria duhet të ulet me pjesëtarët e tyre dhe të konsultohet për të marrë aktet e nevojshme legjislative dhe ekzekutive me qëllim që të vihen në vend këto padrejtësi.
Raporti thekson se duhet të merren masa ndaj gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes ndaj pakicave kombëtare. Kthehuni pak në kohë dhe kujtoni terminologjinë e Ramës ndaj Fredi Belerit. A pati reagim lidhur me atë gjuhë urrejtjeje? A pati për atë fenomen reagim nga opinioni publik, media apo politika përveç rasteve të kufizuara”, u shpreh Dule ndër të tjera.
Fraksion.com