Berisha: Edi Rama i ndryn në sirtarët e Lindës së Parlamentit 31 ligje. Pas rezistencës në Parlament, protestat do të shtrihen në rrugë dhe sheshe
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Edi Rama denatyroi liderin e opozitës pas marrëveshjes që Lulzim Basha bëri me të më 17 maj të vitit 2021. Që prej atëherë, pranon Berisha, nuk ka pasur një lëvizje të qëndrueshme.
Një ditë pasi deputetët e grupimit të tij dhe të Gazment Bardhit bllokuan punën e Parlamentit, Berisha tha se kjo është vetëm hapi i parë pas asaj që qeveria i ka mohuar opozitës të gjitha mundësitë. Në konferencën e përjavshme për shtyp, Berisha shprehet se 31 nisma ligjore mbahen në sirtarët e Parlamentit.
Berisha: Demokratët në 10 vite bene përpjekje shumë të mëdha. E vërteta është që përpjekja dhe sakrifica e tyre e madhe, 90 ditë, ditë e net në bulevard në një çadër u përdor për pazar në mënyrën më të shpërfytyruar nga Lulzim Brava me Edi Ramën. Në mënyrë të padiskutueshme, demokratët nuk i kanë humbur zgjedhjet e vitit 2021, por Lulzim pengu në vend që të mbronte votën e tyre zgjodhi rrugën që e tregon edhe tani të hyjë në qeveri me Edi Ramën. Sakrifica, mundi i tyre nuk solli atë që ata meritonin. Të them unë si një njeri që ka ndjekur non stop çadrën, çadra e dridhi Edi Ramën, e tmerroi, e theu Edi Ramën. Ata djem burra, gra që sakrifikuan për 3 muaj, me qëndrimin e tyre e bënë Edi Ramën të paketojë zyrën, por ai përdori aktin imoral të blerjes dhe në një takim 5 orësh siç faktohet mbrapa, ai de facto e denatyroi plotësisht liderin e opozitës, e shndërroi në plaçkë pazari.
Është e vërtetë që gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur një lëvizje të qëndrueshme, për rrjedhojë nuk ka pasur një sukses real. E vërtetë është që dje nisi dhe nuk do të ndalet deri në ditën e fitores. Pse filloi në Parlament? Në një rezistencë, lëvizja fillon kudo ku është presioni. Aktualisht, në Parlament u shfaq me agresion dhe ne po mbrojmë të drejtën e qytetarëve shqiptarë që kanë votuar kundër Edi Ramës. Opozita ka dorëzuar në Parlament 31 ligje, nga minimumi jetik tek ligjet kundër korrupsionit. Ato Edi Rama i ndryn në sirtarët e Lindës së Parlamentit. Kemi dy vjet që me dhjetëra herë kërkohen ministra në komisione parlamentare, nuk vijnë. Sot, zonja Zhupa denoncoi se nuk i japin dokumente Gjykatës Kushtetuese. Këta sillen si bandë dhe bandë janë. Mohojnë të drejtën e opozitës për komisionet hetimore. E kanë mohuar gjer tani 6 herë. Të gjitha komisionet që janë kërkuar nga Mcgonigal, tek koncesionet, te vjedhja e TIMS e me radhë të gjitha të çojnë tek Edi Rama. Ne si deputetë kishim dy rrugë, ose të braktisnim Parlamentin ose të nisnim betejën në Parlament dhe nisëm betejën në Parlament.
Ne do qëndrojmë në Parlament me protestën tonë më të fuqishme dhe dora dorës do shtrihen në rrugë dhe sheshe.
Fraksion.com