“Ardenica” në Lushnjë, tjetër bujtinë e mbështetur nga AZHBR
Në kodrat e Ardenicës në Lushnjë, mes atraksioneve të shumta të kësaj zone, ndodhet bujtina “Ardenica”, një tjetër sipërmarrje e suksesshme, e mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) përmes programit IPARD II.
Nisur si një një biznes i vogël familjar, “Ardenica” është shndërruar në destinacionin e preferuar të shumë turistëve, të cilët tërhiqen nga bukuritë natyrore, vlerat kulturore dhe historike të kësaj zone. Falë mbështetjes, sipërmarrësit përmirësuan dhe zgjeruan kapacitetet pritëse dhe akomoduese për vizitorët, si edhe rritën bashkëpunimin me fermerët për sigurimin e ushqimit të freskët nga ferma në tavolinë.
Zhvillimi i turizmit rural është një ndër objektivat e programit IPARD II për të rritur aktivitetin ekonomik në fshatra, duke dhënë impakt të drejtpërdrejtë në rritje të punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë familjare rurale.
AZHBR bëri të ditur se, vitin e fundit ka një interes të shtuar nga banorët e zonave rurale, të rinj kryesisht, por jo vetëm, për të bërë investime të tilla. Në shumë raste, modelet e agroturizmeve po konkurrojnë fort, duke e shndërruar këtë sektor nga më të rëndësishmit në vend për ndikimin në ekonominë lokale.
Si kombinim perfekt mes turizmit dhe bujqësisë, strategjia e agroturizmit ka rezultuar e suksesshme, duke garantuar treg të sigurt për fermerët e zonave rurale, rritjen e ekonomisë për familjet e angazhuara në punët e brendshme, apo të zinxhirit të furnizimit në këto njësi.