“Verë dhe gështenja”, Rama: Panair produktesh e plot surpriza të tjera në Pogradec
Festa “Verë dhe gështenja”, e kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, do të mbledhë këtë fundjavë vizitorë të shumtë, të cilët do të shijojnë produktet vendase.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon promovuese të këtij aktiviteti, që ka në fokus promovimin e produkteve tradicionale vendase.
“Verë dhe Gështenja, nesër dhe pasnesër në Pogradec në sheshin kryesor të qytetit. Festojmë bashkë me verë buti, gështenja të pjekura, muzikë moderne dhe popullore, panair produktesh e plot surpriza të tjera”, tha Rama.
Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale.
Po ashtu, bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale si dhe të vendosin kontakte për shitjen e prodhimeve të zonës në tregje të reja.
Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.
Fraksion.com