AktualitetPolitikëTë fundit

Salianji: Nuk do të ketë normalitet në Kuvend, për sa kohë ky institucion sillet si vasal i Ramës

Ndonëse Kuvendi ka njoftuar mbylljen e punimeve, deputetë të opozitës kanë vijuar që të qëndrojnë në sallë.

Përmes lidhjeve live në rrjetet sociale, ata po përcjellin mesazhet e tyre, kundër qeverisë.

Fjalën në foltore e ka marrë dhe deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili theksoi se PS kërkon që të emërojë me forcën e kartonit dhe bashkëkryetarin e reformës zgjedhore.

Salianji deklaroi se nuk ka për të pasur normalitet në sallën e Parlamentit nëse nuk kthehen çështjet legjitime.

“Siç e keni parë në javët e fundit, parlamenti nuk ekziston. PS ka kryer terrorizëm parlamentar. Rama i ka përdorur institucionet dhe parlamentin sikur t’i ketë pronë të vetën. Në këtë republikë nuk ekziston më as Kushtetutë, as ligje, por ekziston vetëm fjala e Edi Ramës që është kthyer në ligj. Për këtë arsye, opozita është e detyruar që t’i japë përgjigjen e merituar kësaj qeverie.”, tha Salianji.

“PS rrëzoi 3 komisione hetimore të kërkuara nga opozita. Ka vendim të GJK dhe është taksative që kërkimi i komisioneve hetimore parlamentare është instrument i opozitës për kontrollimin e qeverisë, E rrëzuan komisionin për TIMS-in për shkak se janë përfshirë deri në fyt, nga patronazhistët që i shpëtuan me prokurori te AKSH-i, rrjedhja e të dhënave, etj. E njëjta gjë për komisionin hetimor për konfliktin e interesit. PS ka rrëzuar komisione hetimore për çështje si rrjedhja e të dhënave, konflikti i interesit, apo edhe fluturimet me ‘charter’ të kryeministrit. I fikën edhe dritat, por nuk ka asnjë marifet, asnjë rrugë dhe përpjekje që bën PS që do të vendosë përfundë që të kapë opozitën. Do të bëjmë ç’është e mundur që në këtë vend të kthehet ligjshmëria. Do të thërrasim në ndihmë edhe qytetarët”, u shpreh ai.

Fraksion.com