Vlerësimi i deritanishëm i zbulimit: Izraeli nuk ishte “përgjegjës” për shpërthimin në spitalin e Gazës
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se sipas një vlerësimi të deritanishëm të zbulimit amerikan, duket se Izraeli nuk ishte “përgjegjës” për shpërthimin në një spital të Rripit të Gazës, por se po vazhdon grumbullimi i informacionit për ngjarjen.
Vlerësimi është “bazuar në analizën e pamjeve, përgjimeve dhe informacioneve publike”, tha të mërkurën në një postim në mediat sociale zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson.
Komentet e saj vijnë pasi Presidenti Joe Biden i tha Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Tel Aviv se ” në bazë të asaj që kam parë, duket se (shpërthimi) është bërë nga pala tjetër, jo ju (Izraeli).”
Ka pasur pretendime kontradiktore lidhur me përgjegjësinë për shpërthimin në spital.
Zyrtarët në Gazë fajësuan menjëherë Izraelin. Izraeli mohoi të ishte i përfshirë dhe bëri publike video, audio dhe informacione të tjera që tha se tregonin se shpërthimi ishte pasojë e një goditjeje nga një raketë e Xhihadit Islamik, një grup tjetër militant që vepron në Gazë. Xhihadi Islamik e hodhi poshtë këtë pretendim.
Presidenti Biden tha se “shumë njerëz” nuk ishin të sigurt se çfarë e shkaktoi shpërthimin, i cili ndezi protesta në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai tha më pas se e bëri pohimin bazuar tek “të dhënat nga Departamenti i Mbrojtjes”.
Fraksion.com