AktualitetBota+Të fundit

Thellohet partneriteti Xi-Putin mes rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping zhvilluan një takim dypalësh në Pekin, ku ata po marrin pjesë në takimin e nismës “Një Brez, Një Rrugë”, duke theksuar thellimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Rusisë dhe Kinës.

“Besimi i ndërsjellë politik mes dy vendeve vazhdon të thellohet”, tha Presidenti Xi, duke shtuar se dy vendet kanë vazhduar “koordinimin e ngushtë dhe strategjik”.

Disa analistë thonë se takimi krijon mundësinë për Presidentin Xi që ta paraqesë Kinën si një alternativë për të udhëhequr botën para vendeve në zhvillim dhe i jep Presidentit rus Putin shansin të tregojë se ai ende është i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.

“Ky takim e paraqet zotin Xi si një udhëheqës alternativ në skenën botërore për vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Kjo gjithashtu i jep mundësi zotit Putin që të tregojë se ai ka një mik të fortë”, tha për Zërin e Amerikës Sari Arho Havren nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit rus Putin jashtë vendit që kur Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arrest për të në mars të këtij viti. Në fillim të tetorit, ai shkoi në Kirgistan për të marrë pjesë në një takim të ish-republikave sovjetike. Kina dhe Krigistani nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Takimi gjithashtu ndodh mes një përshkallëzimi të konfliktit të Izraelit me militantët palestinezë të Hamasit. Ndërsa Kina dhe Rusia kanë dënuar sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës dhe kanë bërë thirrje për armëpushim, presidentët Xi dhe Putin nuk kanë bërë komente publike për këtë çështje.

Disa ekspertë thonë se mungesa e gatishmërisë nga presidentët Xi dhe Putin për të bërë komente lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit gjatë takimit të tyre tregon përpjekjet e këtyre dy vendeve për një qasje më të ekuilibruar në marrëdhëniet e tyre me Lindjen e Mesme dhe Izraelin. “Ata nuk i kanë dhënë mbështetje të plotë Izraelit, por nuk kanë mbështetur fortë as Hamasin”, tha Philipp Ivanon nga Instituti i Politikave të Shoqërive të Azisë.

Ai thekson se Kina dhe Rusia i kuptojnë aftësitë e tyre të kufizuara për të zgjidhur konfliktin e gjatë mes Izraelit dhe Hamasit, kështu që në vend të angazhimit të drejtpërdrejt në procesin e paqes, ato po shfrytëzojnë kapacitetet e tyre për të penguar përhapjen e konfliktit në rajon.

“Mendoj se Kina dhe Rusia mund të përdorin fuqinë e tyre për ndikuar mbi Sirinë, Iranin dhe Arabinë Saudite për të ndalur përhapjen e konfliktit”, tha për Zërin e Amerikës analisti Philipp Ivanov.

Vizita e Presidentit Putin në Pekin gjithashtu pasqyron varësinë në rritje të Rusisë tek Kina, ndërsa Moska përballet me sanksione ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë. Që kur Rusia filloi të bëhej gjithnjë e më e izoluar nga komuniteti ndërkombëtar, Kina është bërë tregu kryesor i produkteve ruse dhe një blerës i rëndësishëm i naftës the gazit natyror rus, duke i ofruar Moskës një burim financiar jetik në luftën kundër Kievit.

Sipas autoriteteve kineze, tregtia mes Kinës dhe Rusisë u rrit me 36.5 për qind në shtatë muajt e parë të vitit 2023, duke arritur vlerën e 134.1 miliardë dollarëve. Analistët kinezë thanë për revistën shtetërore Global Times se tregtia dypalëshe mes Kinës dhe Rusisë mund të arrijë në 200 miliardë dollarë këtë vit, duke kaluar shifrën rekorde prej 190 miliardë dollarësh të arritur vitin e kaluar.

 

Fraksion.com