AktualitetBota+Të fundit

Sulm i rëndë në spitalin e Gazës para fillimit të vizitës së Presidentit Biden në Izrael

Një shpërthim masiv në një spital të qytetit të Gazës, i mbushur me të plagosur dhe palestinezë të tjerë që kërkonin strehim vrau qindra njerëz, tha Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi. Zyrtarët e grupit militant të Hamasit thanë se shpërthimi u shaktua nga një sulm ajror izraelit, ndërsa ushtria izraelite tha se spitali u godit nga një raketë e lëshuar nga militantët palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se të paktën 500 njerëz janë vrarë në sulmin në spitalin al-Ahli al-Arabi.

Shpërthimi masiv ndodh ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin Izraelin që të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe përpara vizitës së planifikuar të Presidentit Joe Biden në Lindjen e Mesme.

Qindra palestinezë kanë gjetur strehë në al-Ahli dhe spitale të tjera në qytetin e Gazës në ditët e kaluara, në përpjekje për të shpëtuar nga bombardimet pasi Izraeli urdhëroi të gjithë banorët e qytetit dhe zonave përreth që të evakuoheshin në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Hamasi e quajti sulmin e së martës ndaj spitalit “një masakër të tmerrshme”, duke thënë se ajo ishte shkaktuar nga një sulm izraelit.

Megjithatë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “terroristët” në Rripin e Gazës e kanë sulmuar spitalin, jo ushtria e Izraelit.

Forca Mbrojtëse e Izraelit tha se militantët palestinezë kishin lëshuar një breshëri raketash pranë spitalit në atë kohë. “Informacionet e zbulimit nga burime të shumta, që i kemi në duart tona tregojnë se Xhihadi Islamik është përgjegjës për lëshimin e dështuar të raketës”, thuhet në një deklaratë të Forcës Mbrojtëse të Izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se është i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dhe ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të mbledhë informacione për atë që ka ndodhur.

Jam i indinjuar dhe i trishtuar nga shpërthimi në spitalin Al-Ahli el-Arabi në Gazë, i cili shkaktoi viktima, tha presidenti Biden përmes një deklarate të martën ndërsa po udhëtonte drejt Izraelit.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin mbrojtjen e civilëve gjatë konfliktit dhe ne ndajmë dhimbjen me familjet e pacientëve, personelit mjekësor dhe personave të tjera të pafajshëm, të vrarë ose të plagosur në këtë tragjedi”, thuhet në deklaratën e Presidentit Biden.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se është i tmerruar nga vdekja e qindra njerëzve në sulmin ndaj spitalit në Rripin e Gazës.

“Spitalet dhe personeli mjekësor janë të mbrojtura nga ligjet ndërkombëtare”, shkroi Guterres në platformën X.

Hamasi, që është përgjegjës për sulmin terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin u vranë 1400 njerëz dhe ka refuzuar të njohë shtetin hebraik, tha se “bashkësia ndërkombëtare dhe vendet arabe dhe islamike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur pushtimin dhe ushtrinë fashiste (të Izraelit)”.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi të martën dënoi përmes një deklarate “sulmin izraelit ndaj spitalit në Gazë”, të cilin e quajti “një shkelje të qartë të ligjeve ndërkombëtare”.

Sulmi u dënua nga perëndimi dhe bota arabe. Pas sulmit u zhvilluan protesta para ambasadave të Izraelit në Turqi, Jordani dhe pranë ambasadës amerikane në Liban./VOA

 

Fraksion.com